Gazetari për çështjet evropiane, Stephan Israel ka thënë se agresioni ushtarak i Vladimir Putinit në Ukrainë nuk është i njëjtë më atë të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë.
Me anë të një shkrimi në Twitter, korrespondenti i dikurshëm i luftërave në Ballkan, ka theksuar se gadishulli i Krimesë i okupuar nga Rusia nuk është i njëjtë sikurse rasti i Kosovës.
“Krimea nuk është sikurse Kosova dhe fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë nuk është e barabartë me agresionin ushtarak të Putinit kundër Ukrainës”, ka shkruar Israel.
TWITTER: https://twitter.com/StephanIsrael/status/1506311804988923912
Ai shton se trupat ushtarake të Putinit po bombardojnë Kyivin, NATO nuk kishte bombarduar Beogradin por në shënjestër kishte Shtabin e Përgjithshëm, Aeroportin e Batajnicës, Ambasadën kineze apo ndërtesën e televizionit publik.
“Derisa trupat e Putinit po bombardojnë Kyivin dhe qytetet e tjera në Ukrainë, disa thonë se NATO gjithashtu ‘bombardoi Beogradin’ në vitin 1999. Unë nuk jam në Kyiv por isha në Beograd. Jo, NATO-ja nuk e bombardoi Beogradin apo qytetet e tjera në Serbi. Objektivat përfshinin Shtabin e Përgjithshëm, Aeroportin e Batajnicës, por edhe Ambasadën kineze apo ndërtesën e televizionit. Jo, NATO nuk kishte në shënjestër ndërtesa banimi, teatro, shkolla apo supermarkete siç bëjnë trupat e Putinit. Pas 79 ditësh, autokrati serb Sllobodan Millosheviq u dorëzua dhe tërhoqi trupat e tij nga Kosova”, thekson ai.
TWITTER: https://twitter.com/StephanIsrael/status/1506221455339663374
Israel shton sulmet ajrore të NATO-s ndaluan shpërnguljen e popullatës shumicë shqiptare.
“Falë sulmeve ajrore të NATO-s, shpërngulja e popullatës shumicë shqiptare në Kosovë u ndal dhe të shpërngulurit u kthyen. Pa ndërhyrjen e NATO-s, sot në Kosovë nuk do të kishte më popullsi shqiptare. Kjo nuk është e vetmja arsye pse Kosova nuk është Krime. Në Kosovë, ku Beogradi më parë i kishte hequr autonominë dhe të drejtat e shumicës shqiptare, Millosheviqi përfundoi transformimin e tij nga komunist në nacionalist, në Fushë Kosovën në vitin 1989. Ngjashëm me Putinin sot, Millosheviqi më pas përfshiu Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosova me një luftë agresive për t’i bashkuar zonat e banuara me serbë në republikat e tjera jugosllave në një Serbi të Madhe”, shton Israel.
Sipas tij, BE-ja dhe OKB-ja janë treguar të paafta për të ndalur procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe për të parandaluar gjenocidin serb në Srebrenicë.
TWITTER: https://twitter.com/StephanIsrael/status/1506221464994955268
“BE-ja u tregua e pafuqishme për të ndalur procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Po kështu, OKB-ja kishte të pamundur dhënien fund rrethimit trevjeçar të Sarajevës ose për të parandaluar gjenocidin në Srebrenicë. Ngjashëm me trupat e Putinit, rrethuesit serbë, në mes të viteve 1992 dhe 1995, granatuan objektiva kryesisht civile dhe u përpoq të detyronte kryeqytetin boshnjak të kapitullonte”, thotë ai.
Tutje, Israel thotë se popullsia me shumicë shqiptare në Kosovë kishte bërë rezistencë ndaj regjimit okupues serb.
“Në Kosovë, popullsia shumicë shqiptare nën drejtimin e Ibrahim Rugovës kishte bërë rezistencë paqësore kundër regjimit okupues serb, i ngjashëm me aparteidin për një kohë të gjatë”, thekson Israel.
Në fund, vrasja e politikanit Fehmi Agani nga forcat serbe apo inskenimi për arrestimin e Rugovës, është plani i njëjtë edhe nga Putini për lidershipin e Kyivit.
“Perëndimi vendosi për të ndërhyrë përmes NATO-s vetëm në fund të luftërave të Jugosllavisë: pas viteve të ‘spastrimit etnik’, rrethimit të Sarajevës dhe gjenocidit në Srebrenicë, ishte e nevojshme të parandalohej një tjetër gjenocid në Kosovë. Do t’ju kujtoja gjithashtu vrasjen e politikanit Fehmi Agani nga forcat serbe gjatë dëbimeve masive në vitin 1999 ose inskenimin poshtërues për të burgosur Ibrahim Rugovën në Beograd, është i njëjti plan i Putinit edhe për lidershipin në Kyiv”, përfundon ai.
/TV Malisheva