Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së kryesisë, ka thënë se Kuvendi i djeshëm i Berishës falsifikoi, shpërdoroi funksionet dhe simbolet në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të partisë.

Lidhur me këtë çështje Basha bëri me dije kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar, e cila do të mbahet nesër.

Po ashtu, ai njoftoi edhe për shkarkimin e disa krerëve të degëve, sekretarëve ekzekutivë dhe kreut të Këshillit kombëtar.

“31 vjet pas themelimit të Partisë Demokratike, ne u bëmë dëshmitar të një manifestimi personal të Sali Berishës, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne i bëjmë të ditur cdo demokrati e demokrate që është shqetësuar nga kjo shfaqje e shëmtuar anti amerikane e Sali Berishës se kjo ishte përpjekja e fundit e dëshmuar dhe e turpshme e tij për të marrë pengë Partinë Demokratike dhe për ta kthyer atë në një bunker të interesave të veta personale. Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD. Në përgjigje të falsifikimeve, shpërdorimit të funksioneve, simboleve, dhe në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të partisë, kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021 ora 15:00, me këtë rend dite: 1. Miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmtojnë rëndë interesat politike dhe elektorale të PD. 2. Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor”, tha ai, duke shtuar se kryesia ngarkoi sekretariatin ekzekutiv të ndjekë të gjithë hapat për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës për falsifikimin dhe shpërdorimin e simboleve të institucioneve të Partisë Demokratike.

Ai shtoi se sot do ta njoftoi Këshillin Kombëtar të PD me vendimet e tij sa i takon disa shpërdorimeve që kanë të bëjnë me drejtimin politik dhe parlamentar të partisë.

“Siguroj sot, sigurojmë gjithë së bashku si Kryesi të gjithë demokratët se institucionet e Partisë Demokraike, duke nisur nga Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive statutore dhe në shërbim demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve. Demokratët do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë më datën 18 dhjetor, ku do të diskutojnë dhe marrin vendimet të rëndësishme për të ardhmen e tyre, dhe jo për hallin personal të Sali Berishës. Më 18 dhjetor, Partia Demokratike, demokratët shqiptarë do të lënë pas pjesët e hidhura të së shkuarës, bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit drejt ndryshimit që meriton çdo demokrat dhe çdo shqiptar”, tha ai./TV Malisheva

Share.