Me hapa të vegjël, por Italia vijon të “shërohet” nga pandemia e koronavirusit. Emergjenca Civile bëri me dije se në 24 orët e fundit 12 persona humbën jetën, nga 15 që ishin një ditë më parë. Nga 52 mijë tamponë të kryer ditën e fundit, 229 persona kanë rezultuar të infektuar me koronavirus, gjysma e të cilëve ndodhen në Lombardi.
Për të shmangur rrezikun e “rigjallërimit të virusit”, ministri i Shëndetësisë italian, Roberto Speranza, vendosi këtë të enjte që të ndalojë hyrjen e çdo personi, i cili ka qëndruar apo ka kaluar në 13 vende që konsiderohen “me rrezik”.
Në listën e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë përfshihen: Armenia, Bahrein, Bangladeshi, Brazili, Bosnje-Hercegovina, Kili, Kuvajti, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Oman, Panama, Peruja dhe Republika Dominikane.
Fluturimet direkte dhe indirekte drejt dhe nga këto vende janë pezulluar.
“Ne kemi zgjedhur linjën e kujdesit maksimal”, tha ministri pasi nënshkroi urdhrin./Tv Malisheva