Italia ka “ngrirë” sot pronat e dy oligarkëve rusë në resortin luksoz bregdetar Portofino, në Sirmione në liqenin Garda dhe në Romë.

Policia ka sekuestruar Villa Altachiara, një ndërtesë me një park në Kepin Portofino në Detin Ligurian, si dhe një pronë dhe një makinë në Romë nga Eduard Khudainatov, ish-CEO i gjigantit rus të energjisë Rosneft.

Khudainatov u vendos në listën e personave të sanksionuar të BE-së pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, tha një nga burimet, duke shtuar se pasuritë e tij kapin vlerën e rreth 57 milionë euro.

Në maj, policia italiane sekuestroi një jaht luksoz me vlerë rreth 700 milionë dollarë, i cili besohet se është në pronësi të Khudainatov dhe që në media është lidhur me presidentin rus Vladimir Putin. Në një operacion të veçantë, policia ngriu pronat në Sirmione, një qytet në liqenin Garda në verilindje të Italisë, me vlerë më shumë se 15 milionë euro.

Një nga burimet tha se i përkiste Grigory Berezkin, kryetarit të grupit rus Esn.

Në mars dhe prill, Italia sekuestroi vila dhe jahte me vlerë mbi 900 milionë euro nga rusët e pasur, të cilët vinin rregullisht në atë vend me pushime dhe blinin prona në shumë vende prestigjioze.

Vlera totale e aseteve të sekuestruara në Itali nga oligarkët rusë deri më tani është më shumë se 1.7 miliardë euro, sipas një liste të përditësuar zyrtare të Guardia di Financa, sektori i policisë italiane në varësi të Ministrisë së Financave.

 

Share.