Lidhjet e para mes një mundësie të trashëgimisë së Skënderbeut me Bushatllinjtë përmenden në një relacion diplomatik të Konsullit rus të Dalmacisë, Antonio Palladhokli drejtuar Këshillit të Punëve të Jashtme të Rusisë në 14 prill të vitit 1787.
Konsulli Palladhokli shkruan në relacionin e tij se në këtë kohë dëgjohet se Pashai i Shkodrës pret para me emrin e tij, vetëquhet si pasardhës i të famshmit Gjergj Kastriot , Skënderbeut, përqendron të gjitha forcat e tij me komandant Hasan Oda.
Po cili ishte konteksti historik i kohës dhe përse në këtë kohë Mahmud Bushatlliu një përfaqësues i shquar i pushtetit otoman në Shqipëri risjell në vëmendje figurën e Skënderbeut?
Relacioni i detajuar vjen një vit pas zhvillimeve politike dhe ushtarake të ethshme në Pashallëkun e Shkodrës. Mahmud Pashë Bushatlliu në shkurt të vitit 1785 kishte shkëputur me forcë nga elajeti i Bosnjës, kështjellat e Podgoricës dhe Shpuzës që kishin ngritur krye në rastin e ekspeditave 1775-1776 dhe kish nënshtruar katër muaj më vonë Malin e Zi që kish ngritur krye qysh nga lufta e viteve 1768-1774. Pasi mori tributin e prapambetur dhe pengjet e bindjes dhe të nënshtrimit, në rrugën e kthimit në Shkodër ndëshkoi rëndë krahinën e Pastroviqit për punë provokimi të armatosur me nxitjen e autoriteteve të Venedikut.
Qëllimi i këtij provokimi kishte qenë shpresa se Porta e Lartë, për të mos krijuar një skandal politik me Republikën e Shën Markut, do ta hiqte qafe këtë pasha të pabindur dhe të rrezikshëm si për autoritetin e sulltanit në Shqipëri, ashtu dhe për sigurinë e zotërimeve venedikase në kufi të Pashallëkut të Shkodrës dhe për interesat ekonomikë të republikës në këtë trevë. Mirëpo nëse në politikën e jashtme Mahmud Pashë Bushatlliu kishte arritur disa fitore të rëndësishme, në planin e brendshëm situata politike nuk ishte fort e mirë në Pashallëkun e Shkodrës, në thellësi të territoreve shqiptare.
Mahmud Pashë Bushatlliu ishte në konflikt të hapur me pushtetin qendror otoman për shkak se kishte sulmuar pashallëqet e Elbasanit dhe Beratit.
/TV Malisheva