Komisioni i Garave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim që ndeshja e ndërprerë ndërmjet Gjilanit dhe Ballkani, e vlefshme për xhiron e 27-të në Superligën e Kosovës në futboll t’i takojë skuadrës nga Suhareka me rezultat 3-0.

Ky vendim erdhi pas në këtë ndeshje, përkatësisht në minutat shtesë të saj, tifozët e skuadrës së Gjilanit zbarkuan në fushë, dhe dy prej tyre e sulmuan fizikisht portierin e skuadrës mysafire, Stivi Frashëri, i cili me këtë rast mori lëndime trupore dhe u shtrua në spital për trajtim mjekësor, raporton TV  Malisheva.

Vendimin për t’ia dhënë tri pikë të plota skuadrës së trajnerit Ilir Daja, Komisioni i Garave e ka bazuar në nenin nenin 59, paragrafi 1 i propozicioneve të garave ku thuhet:

“Nëse ndeshja ndërpritet për shkak të sulmit fizik ndaj gjyqtarëve apo lojtarëve, e njëjta do të regjistrohet me rezultat zyrtar 3 : 0 në favor të ekipit të dëmtuar”

Prandaj duke u bazuar në këtë nen ekipi i dëmtuar në këtë ndeshje është FC Ballkani, kështu që ndeshjen e javës së 27-të në mes të SC Gjilani – FC Ballkani, Komisioni i Garave e regjistron me rezultat zyrtar 3 : 0 në favor të FC Ballkani, kurse ndaj ekipit dhe shkaktarit të incidentit do të inicohet procedura disiplinore.

Share.