Pastrimi etnik që Greqia ka kryer në Çamëri nuk është vetëm një çështje shqiptare kur vjen puna për studiuesit. Filippo Malinverno është një studiues i ri që ka publikuar së fundmi një tezë studimore për cështjen e kufirit greko-shqiptar , duke nisur që nga masakra e Janinës e deri tek pushtimi i Korfuzit.

Duke nisur që nga viti 1912, Shqipëria, sikurse referon studiuesi italian, u përfshi nga një seri operacionesh të pastrimit etnik, për të cilin u konsideruan si përgjegjës grekët, që kishin pushtuar jugun e vendit gjatë luftrave ballkanike si dhe serbët të cilët kishin uzurpuar veriun.

Veçanërisht në jug, grekët ishin munduar që të deportonin me dhunë popullsinë shqiptare myslimane duke terrorizuar vendasit që të largoheshin për të gjetur strëhë më në veri të Camërisë. Territoret më të prekura ishin Epiri i Veriut dhe Çamëria, të përshkruara nga lumi Kalamas që aktualisht janë pjesë e Greqisë.

Dallimi i shqiptarëve myslimanë dhe atyre ortodoksë ishte shumë i rëndësishëm në fund të analizës së fakteve të kohës, sepse këtë dallim grekët e vunë në zbatim edhe në kohën kur pushtuan Shqipërinë e jugut.

Ndërkohë që myslimanët shqiptarë konsideroheshin si të huaj, dhe për rrjedhojë meritonin të përjashtoheshin nga territori, në mënyrë masive, shqiptarët ortodoksë, duke qenë të të njëjtit besim me grekët u quajtën si vëllezërit ortodoks, shqiptarofon, të cilët nuk duhet të diskretitoheshin por vetëm të riorientoheshin tek kultura greke.

Share.