ISMAIL QEMALI
(1844 – 1919)
Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës merrnin pjesë delegatët nga të gjitha trevat etnike të Shqipërisë. Kjo përbërje i dha atij karakterin e një Asambleje Gjithëkombëtare. Ky në fakt ishte vullneti i gjithë shqiptarëve të Shqipërisë etnike, i asaj Shqipërie që përfshinte të katër vilajetet e Rumelisë, ku shqiptarët ishin shumicë. Para kuvendarëve, Ismail Qemali shpalli qëllimet që duhet t’i arrinin shqiptarët. Ato qëllime ishin: “Të bëhet Shqipëria më vehte me një Qeveri të Përkohshme; të zgjedhet një pleqësi për ndihmë dhe kontroll të Qeverisë; të dërgohet një komision në Evropë për të mbrojtur çështjen para mbretërive të mëdha”. Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin Kryetar e Luigj Gurakuqin Sekretar të Parë. Më pas, me propozimin e Kryetarit u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, e cila u nënshkrua nga të gjithë delegatët e pranishëm. Në Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë thuhej: “…Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Kjo nuk ishte deklaratë për Shqipërinë londineze, ishte deklaratë e delegatëve të të gjitha tokave të Shqipërisë, të Shqipërisë së 90.000 km2, të Shqipërisë së katër vilajeteve shqiptare.
Ismail Qemali ndërroi jetë më 24 janar 1919 në Peruxha të Italisë pas një hemorragjie cerebrale. Në çastet e fundit Ismail Qemali ishte dëgjuar të thoshte: “Më helmuan!” Pas kësaj zemra e tij pushoi së rrahuri. E helmuan ata që e dëshiruan copëtimin e Shqipërisë së tij, të shpallur faqe botës më 28 nëntor 1912. Pasi ndërroi jetë Ismail Qemali, për figurën e tij shkruan shumë atdhetarë të devotshëm. Në këtë rast, në jubileun e 100- -të të pavarësisë së Shqipërisë do të veçoja atë që shkroi Mihal Grameno: “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës ju o malet e kodrat të Shqipërisë! Mos pushoni kurrë të kurrës ju lumenj me oshëtimet tuaja së treguari vendin të Pellazgëve, vendin të Lirisë edhe të qytetërimit, vendin ku janë lerë burrat më të mëdhenj të botës! Mos qani dhe kurrë të kurrës mos qani! […] Mos qani pra ju o shqiptarë se rron Plaku, posa që kemi për të gjyrmuar Program të tij kombëtar dhe ay program qëndron: ‘Shqipëria e shqiptarëvet’! Mos qani pra mos qani”. Ndërsa populli i këndoi: “Cili je ti more burrë! / Që don pallatet e mija?/ Unë jam Ismail Qemali, / Prapa më vjen historija”.
Ismail Qemali u varros më 12 shkurt 1919 në Vlorë. Fjalimin e përmortshëm e lexoi, para bajonetave të ushtarëve italianë, Jani Minga, i cili mes të tjerave tha: “Vdiq Ismail Qemali, vdiq Plaku i Vlorës, Plaku i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburesa më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjuar, në fushën e politikës e të diplomacisë evropiane”. Këto janë 100 vitet e rrezatimit fisnik të Ismail Qemalit, që vazhdojnë të na mbushin energji pozitive për lirinë, demokracinë e zhvillimin e trojeve shqiptare.