Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24-orëve të fundit, në Kosovë.
Kështu është bërë e ditur në raportin ditor të policisë, ku raportohet se dy raste kanë ndodhur në Prishtinë, dhe nga një në Fushë-Kosovë, Prizren dhe Mitrovicë.
Rasti i parë ka ndodhur në kryeqytet, ku një person është arrestuar, pasi që dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK-47, një pistoletë dhe 27 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, rasti i dytë në kryeqytet është iniciuar “Dhunë në familje”, edhe pse i dyshuari që e ka shkaktuar dhunën psikike gjendet në Gjermani.
“Ankuesja femër nga Kosova ka raportuar se vazhdimisht ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj i cili gjendet në Gjermani. Me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti dhe ndaj te dyshuarit”, thotë policia.
Rasti i tretë ka ndodhur mbrëmë në Fushë-Kosovë, ku një grua ka pësuar lëndime trupore, pasi që është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i cili gjendet në arrati.
“Viktima pas pranimit të tretmanit mjekësorë është dërguar në strehimore. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në raport.
Ndërkohë, edhe në Prizren është arrestuar një person, pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij, gjithashtu ia kishte dëmtuar edhe veturën.
“Ankuesja femër nga Kosova, ka informuar se bashkëshorti i saj mashkull nga Kosova, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj si dhe i kishte dëmtuar veturën. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Rasti i fundit ka ndodhur në Mitrovicë, ku një grua është ankuar në polici se ish-bashkëshorti i saj për motive të panjohura e ka shqetësuar.
“Ankuesja femër nga Kosova ka raportuar se i dyshuari mashkull nga Kosova (ish bashkëshorti i saj), për motive të panjohura e ka shqetësuar. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin ditor.
/TV Malisheva