Në tempullin Yakusuni në Tokyo, në numër më të vogël sesa zakonisht për shkak të pandemisë dhe vapës së madhe, njerëzit ofruan lutje dhe u mbajt një minutë heshtje sot, të shtunën, ndërsa perandori japonez Naruhito shprehi “keqardhje të thellë” për shkak veprimeve të shtetit të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, në 75 vjetorin e dorëzimit të Japonisë.

“Me sinqeritet shpresoj që tmerret e luftës nuk do të përsëriten asnjëherë”, tha ai gjatë ceremonisë së shtunës.

Ndërkohë, kryeministri Shinzo Abe premtoi se “tragjedia kurrë më nuk do të përsëritet”.

Kryeministri e shënoi rastin duke dërguar një dhurim në këtë tempull lufte kontrovers në Tokyo, por nuk e vizitoi personalisht.

Sidoqoftë katër ministra tjerë e vizituan tempullin Yasukuni, një gjest i cili mund të hidhërojë Kinën dhe Korenë Jugore.

Është hera e parë në katër vite që politikanë të lartë e vizitojnë këtë vend, i cili përkujton disa figura të rëndësishme të cilët janë dënuar për krime lufte.

Koreja Jugore dhe Japonia ende nuk janë pajtuar rreth kompensimeve për forcat koreane që u detyruan të luftojnë dhe punojnë nën okupimin Japonez, i cili nisi në vitin 1910 dhe përfundoi më 1945.

Tempulli Yasuku është vend përkujtimor për 2.5 milionë të vdekur nga lufta, por ai vend nderon edhe 14 udhëheqës luftarakë japonezë, të cilët më vonë u dënuan si kriminelë të lartë të luftës.

Çfarëdo vizite nga zyrtarë të lartë japonezë konsiderohet shumë ofenduese për Kinën dhe Korenë.

Dita e Fitores dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në Evropë mbaroi më maj të vitit 1945 me dorëzimin e Gjermanisë, por lufta vazhdoi në rajonin e Azisë së Paqësorit me muaj të tërë.

Lufta përfundoi shkurt pas bombave nukleare të hedhura nga SHBA-ja në Nagasaki dhe Hiroshima më 6 dhe 9 shkurt të vitit 1945. Dorëzimi zyrtar i Japonisë u nënshkrua më 2 shtator të të njëjtit vit./Tv Malisheva

Share.