Jasir Asani do ta vazhdojë karrierën në Superligën turke. Pas eksperiencës 6-mujore në formë huazimi te AIK Stockholm në Suedi, sulmuesi anësor është rikthyer te të kuqtë por do të largohet shumë shpejt nga Partizani pasi ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar te Sivasspor, skuadër që e mbylli sezonin në vendin e 4-t të kampionatit turk dhe do të luajë në grupet e Europa League sezonin e ardhshëm.
Burime të Supersport mësojnë që akordi në planin personal është arritur përsa i përket kontratës dhe pagës së Asanit me Sivasspor ndërsa mbetet për t’u gjetur marrëveshja mes dy klubeve, por Partizani edhe pse do të përfitojë diçka nga shitja e lojtarit, nuk do të bëhet pengesë për kalimin e Asanit te Sivasspor, duke patur parasysh që lojtari ka vetëm 6 muaj kontratë me të kuqtë.
Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi për kalimin e 25-vjeçarit te Sivasspor. Për Asanin u interesua edhe një tjetër klub turk pikërisht Kayserispor, por lojtari zgjodhi Sivassporin.