Kjo javë filloi me vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Gjatë takimeve si me Presidenten Vjosa Osmani ashtu edhe me Kryeministrin Albin Kurti, zyrtari më i lartë i Aleancës më të fuqishme ushtarake në histori të njerëzimit, e bëri të qartë se pret nga Kosova që t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-sekretari i NATO-së Anders Fogh Rasmussen, sipas së cilës çdo angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociata me KFOR-in. Po ashtu, ai bëri të ditur se tash e tutje edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës para çdo aksioni duhet të konsultohet me trupat e KFOR-it. Kurse me qëllim të garantimit të një ambienti sa më të sigurt Aleanca është duke e shqyrtuar mundësinë për rritjen e përhershme të NATO-s në territorin e Kosovës. Ndërkohë, në funksion të krijimit të një klime tjetër politike, gjatë qëndrimit në Beograd, Jens Stoltenberg e qortoi Serbinë për praninë e forcave ushtarake afër kufirit me Kosovën.
Mirëpo, nën dritën e kërrë thirrjeve ndërkombëtare për shtensionim e situatës në veri, këtë javë Kosovën e karakterizuan edhe shumë “mikro” zhvillime të tjera. Ndër më tronditëset pa dyshim se mbetet shpërthimi i flakëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku u dogjën dy zyre. Njëra nga to e mjekut të njohur, Arsim Gërxhali. Ky mekanizëm administrohet drejtpërdrejtë nga Ministria e Drejtësisë. Dhe duke marrë parasysh sensitivietin e punës së tij, polemikat dhe akuzat politike mbi shkaqet e qëllimshme apo të rastësishme të zjarrvënies, ishin të pritshme. Në kudër të këtij Instituti ruhen mostrat e vdekjes së Astrit Deahirt, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje i cili kishte vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren deri sa po mbahej si i burgosur nën dyshimin për sulmin me grinte mbi Kuvendin e Kosovës. Partia në pushtet në vazhdimësi ka mbrojtur pikëpamjen se Astrit Dehari ishte vrarë nga “ish-regjimi i vjetër”. Madje pikërisht këtë javë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu u detyrua t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për shkak të disa deklaratave të saj se ekzistojnë provat për këtë vdekje, por që i duhet të veprojë Prokurorisë dhe Policisë. Mirëpo, në konferencën para gazetareve ajo nuk prezantoi asnjë provë të re, pos akuzave të bëra ndër vite. Po ashtu, u mor vesh se si pasojë e flakëve që e përfshin këtë Institut, ishin djegur mustaqet komandantit legjendar Adem Jashari dhe gishti i heroit kombëtar Isa Boletini.
Pas kësaj ngjarje opozita e akuzoi pushtetin për “piromani politike”. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi deklaroi se “Vetëvendosja me flakë erdhi në pushtet dhe në saje të zjarrit po e mban atë. Kurse, Abelard Tahiri deklaroi se kjo parti do të propozojë themelimin e një Komisioni hetimor parlamentar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe zjarrin në IML. Ky hetim sipas Drejtuesit të Grupit Parlamentar të PDK-së “është i domosdoshëm sepse humbën provat e vdekjes së Astrit Deharit dhe disa herë flakët e kapluan ndërtesën e Institutit, i cili është nën menaxhimin e drejtpërdrejt të Ministrisë së Drejtësisë”.
Në këtë kontekst java që do të hymë do të vazhdojë të kushtëzohet nga zjarrmia e kësaj flake. Por, duke mos harruar as debatet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas opozitës e ka shtruar rrugën për federalizmin e brendshëm të Kosovës, kurse sipas pushtetit me anë të tij është arritur që të ndalet “Zajednica” në këmbim të vetmenaxhimit.
/TV Malisheva