Thatësira e madhe e cila ka kapluar vendin, ka bërë që niveli i ujit në liqenin e Batllavës dhe atë të Badovcit të bie për disa metra. Për këtë arsye Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka vendosur që në javën e ardhshme të fillohet me reduktime.
Zona e Matit, zona e ashtuquajtur “Zllatar” si dhe pjesët të cilat janë të ndërtuara mbi rezervarët akumulues, janë vendet ku do të fillohet me këto reduktime.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, i cili ka thënë për KosovaPress se situata në këto dy liqene nuk është shumë premtuese.
Xhafa: Gjendja në dy liqenet akumuluese nuk është shumë premtuese
“Gjendja në dy liqenet akumuluese nuk është shumë premtuese të them të drejtën, jemi në stinë të verës dhe nuk është se pritët të ketë reshje. Në liqenin e Batllavës situata është afërsisht 6 metra nën kuotën e kapërderdhës, ndërsa në liqenin e Badovcit është afërsisht 10 metra nën kuotë të kapërderdhës, situatë e tillë është relativisht e rënduar”, thotë ai.
Xhafa ka theksuar se reduktimet do të jenë të ndodhin vetëm natën, kur edhe nevojat janë më minimale.
Xhafa: Besoj që gjatë javës tjetër do të fillojmë me disa masa të reduktimit
“Jemi në këtë javë duke bërë disa testime sepse për shkak të temperaturave të larta dhe keqpërdorimit të ujit, në disa pika nuk po arrijnë të furnizohen si duhet, jemi duke bërë disa testime për të filluar disa reduktime të lehta. Besoj që gjatë javës tjetër do të fillojmë me disa masa të reduktimit të furnizimit me ujë, do të jenë natën vetëm atëherë kur nevojat janë minimale. Pjesa të cilat do të afektohen janë zonat e larta siç janë zona e ashtuquajtur te ‘Zllatari’, zona e Matit dhe pjesë të tjera të cilat janë të ndërtuara mbi rezervarët tona akumuluese”, vlerëson ai.
Xhafa, gjatë një interviste për KosovaPress, tërhoqi vëmendjen edhe për një çështje tjetër. Ai ka bërë të ditur se serveri si dhe e-mailet zyrtarë të K.R.U “Prishtina” janë sulmuar kibernetikisht dhe se për këtë arsye ka hapur rast në polici.
Xhafa: Serveri dhe e-mailet kanë qenë cak i një sulmi kibernetik
“Prej pasdites së djeshme (e mërkurë, 22 korrik) serveri ynë zyrtar, e-mailet tanë janë të sulmuara kibernetikisht dhe ende sot nuk kemi arritur t’i kthejmë e-mailat zyrtare. Si duket po ngjason sikur është një strukturë e mirë organizuar që nuk ia duan të mirën Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe kanë nxjerrë ose po duket sikur kanë nxjerrë një deklaratë sikur ujësjellësi ka dërguar te portalet… E thash më herët kemi pasur një sulm kibernetik për këtë shkak sot kam hapur rastin në polici dhe ata po merren me këtë rast”, thotë ai./Tv Malisheva