Javën e ardhshme të gjithë dëshmitarët në Gjykatën Speciale në Hagë do të dëshmojnë pa masa mbrojtëse.
Zëdhënësi për media, Christopher Bennett, tha për Reporterin se dëshmitari i parë javën e ardhshme do të jetë Sadik Halitjaha.
“Dëshmitarët e javës së ardhshme do të dëshmojnë të gjithë pa masa mbrojtëse. Prandaj, procedurat duhet të jenë kryesisht publike. Dëshmitari i parë është edhe dëshmitari i fundit (Sadik Halitjaha), i cili do të përfundojë dëshminë e tij. Dy dëshmitë tjera do të jenë po ashtu me interes”, u shpreh Bennett.
Halitjaha, ka dëshmuar në Hagë më 16 nëntor.
Avokatët Emmerson dhe Venkateswari e pyetën dëshmitarin lidhur me strukturat komanduese dhe organogramët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Prokurori James Pace në pyetjet shtesë drejtuar dëshmitarit Halitjaha, paraqiti një dokument të ri, dokument i cili u kundërshtua nga pala mbrojtëse e Thaçit, por ky kundërshtim nuk u aprovua nga trupi gjykues.
Sipas prokurorit Pace, ky dokument ka të bëjë me një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim dhe mbledhje të automjeteve të ndryshme për nevojat e ushtrisë.
Lidhur me këtë dokument, dëshmitari Halitjaha tha se ky vendim nuk është zbatuar sepse është nënshkruar nga personat jokompetentë.
Edhe pse ishte paraparë që dëshmia e këtij dëshmitari të përfundojë sot, kjo nuk ndodhi sepse nuk pati kohë të mjaftueshme për pyetjet shtesë të prokurorit Pace dhe për pyetjet eventuale të trupit gjykues dhe mbrojtësit të viktimave, por edhe ato shtesë të palës mbrojtëse, andaj dëshmia e dëshmitari Halitjahaj do të vazhdojë edhe në seancën e 4 dhjetorit.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
/TV Malisheva