Javët Kulturore Ndërkombëtare në Shqipëri po shënojnë edicionin e dytë, ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Nisma që sjell tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës, do të ketë program deri në nëntor të këtij viti.
Margariti ka prezantuar programin e këtij viti duke theksuar se i njëjti fillon me Bashkimin Evropian, nga sot deri më 22 maj, për të vazhduar me artistët nga Greqia nga 23 deri më 29 maj.
Ndërsa muaji qershor do të nisë me kulturën italiane.
E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, e shtrirë përgjatë gjithë vitit, JKN është vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve, dedikuar bashkëpunimit kulturor, shkruan ATA.
Nëpërmjet këtij projekti njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat.
Përgjatë vitit 2022, kjo nismë e Ministrisë së Kulturës ka angazhuar mbi 700 artistë.
/TV Malisheva