Shefi i policisë japoneze, Itaru Nakamura, ka njoftuar dorëheqjen e tij, duke marrë përsipër përgjegjësitë në lidhje me vrasjen e ish-kryeministrit Shinzo Abe në fillim të korrikut.

Këtë e bëri të ditur vetë Nakamura, komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Policisë, në konferencën për shtyp të mbajtur mëngjesin e 25 gushtit, mbi rezultatet e hetimit për mangësitë e sigurisë gjatë mitingut elektoral të mbajtur nga ish kryeministri Abe në Nara.

“Kishte mangësi në planet e sigurisë dhe vlerësimet e rrezikut mbi të cilat ato bazoheshin, dhe direktivat nga komandanti në terren ishin të pamjaftueshme,” u tha Itaru Nakamura gazetarëve.

“Rrënja e këtij problemi qëndron në kufizimet e sistemit aktual, i cili ka vite që ekziston, dhe ku policia lokale mban përgjegjësinë e vetme për ofrimin e sigurisë,” shtoi ai.

Nakamura tha se do të merrte përgjegjësinë për dështimet dhe do të largohej nga posti i tij si shef policie.

“Ne kemi vendosur të shkundim personelin tonë dhe të fillojmë nga e para me detyrat tona të sigurisë, dhe kjo është arsyeja pse unë i paraqita dorëheqjen time Komisionit Kombëtar të Sigurisë Publike sot,” tha ai./REL/

Share.