Derisa Rusia po vazhdon të kërcënojë me pushtim Ukrainën, me anë të propagandës po tenton edhe destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, më konkretisht të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.
Lidhur me këtë çështje, Rusia nëpërmjet një fushate mediale të propagandës dhe nëpërmjet zyrtarëve të vet e atyre pro-rusë ka filluar një tentim për destabilizimin e Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor, shkruan lajmi.net.
Fillimisht, një lajm i publikuar në median propagandistike ruse TASS tha se Kosova po planifikon të dërgojë mercenarë për luftën Ukrainë – Rusi, mercenarë këta që do të radhiteshin krah trupave ukrainase në mbrojtje të territorit.
Kjo gjë u demantua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës duke thënë se përveç që Kosova nuk planifikon dhe assesi nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë – kjo gjë është edhe e ndaluar sipas ligjeve të Kosovës. Në reagimin e MPJD-së, raportimet e TASS përveç se të pavërteta shihen edhe si tendenca për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Këtij raportimi të TASS i parapriu një debat i ashpër i presidentit të Rusisë Vladimir Putin me kancelarin gjerman Olaf Schloz. Gjatë bisedimeve të tyre për shtensionimin e situatës në kufirin Rusi – Ukrainë, presidenti rus Putin i kishte përmendur kancelarit gjerman ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
“Sa i përket luftës në Europë, Kancelari federal sapo tha që njerëzit e gjeneratës së tij – dhe unë i përkas kësaj gjenerate – vështirë se mund ta imagjinojnë luftën. Natyrisht ai iu referua situatës rreth Ukrainës. Por, ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të një lufte në Europë që e bëri NATO kundër Jugosllavisë. Një operacion i madh ushtarak i sulmit me raketa dhe bomba në një kryeqytet europian, Beograd. Kjo u bë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit. Ky është një shembull fatkeq, por ai ka ndodhur” ka thënë Putin.
Por, përgjigja e kancelarit gjerman karshi Putinit ishte e ashpër. Ai i tha presidentit rus se në Kosovë po ndodhte gjenocid dhe kjo duhet të parandalohej.
Dua të theksoj se situata në Jugosllavi ka qenë diçka më ndryshe. Kishte rrezik dhe kërcënim për gjenocid dhe kjo është dashur të parandalohej. Jam shumë i lumtur që atje tash gjithcka po zhvillohet në mënyrë paqësorë dhe se vendet e Ballkanit kanë gjetur të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian. Kjo është një shenjë pozitive”.
Por kjo nuk është e tëra. Rusia nëpërmjet eurodeputetes franceze pro-ruse, Dominique Bilde tentoi ta portretizojë gjendjen e serbëve në Kosovë si në krizë. Ajo madje propozoi një rezolutë për serbët e Kosovës pasi atyre nuk iu mundësua mbajtja e referendumit serb në Kosovë – gjë që nëse do të mbahej do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Rusia nuk u ndal as me kaq. Në kulmin e tensioneve në Ukrainë, shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, një nga njerëzit më të afër të Putinit ka vendosur të vizitojë Serbinë këtë javë. Kjo sipas njohësit të rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Agon Maliqit, po bëhet me gjasë për destabilizimin e rajonit – më konkretisht në Bosnje dhe përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës.
“Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e Dodikut për zhbërjen e Bosnjes, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës. Vuçiq e ka mbështetur agjendën ruse në shumë sfera, por në përpjekje për të balancuar dhe për t’i mbajtur raportet me perëndimin, dhe i vetëdijshëm për pasojat, deri tani është treguar skeptik dhe frenues ndaj Dodikut.
Nëse vazhdon t’i rezistojë këtij presioni në këtë moment thyerjesh të mëdha gjeopolitike, pikët e fituara nga Vuçiq në perëndim, veçanërisht në SHBA, janë të larta. Nëse u hyn aventurave, e djeg gjithë mundin diplomatik të një dekade. Në cilëndo rrethanë dhe sido që të zhvillohet, ky konflikt mes perëndimit dhe Rusisë do ta ridefinojë kontekstin e sigurisë në Evropë, ku Rusia e sheh fatin e Ballkanit dhe atë të ish shteteve Sovjetike si të ndërlidhura – si sfera interesi me mundësi pazaresh dhe shkëmbimesh.
Në këtë kontekst, Kosova e mbrojtur nga NATO nuk e ka luksin të vazhdojë me qasjen sovraniste dhe shpërfillëse ndaj aleatëve, duke ndjekur fitore taktike që zgjojnë emocione të momentit (psh. targat, zgjedhjet) dhe duke e humbur perspektivën strategjike. Rezultati i kësaj qasjeje është se Kosovën nuk e pret më kush nga nivelet e larta në SHBA, madje as për kafe në margjinat e konferencës së Mynihut.”, tha Maliqi në Facebook’un e tij.
Maliqi: Shefi i sigurisë ruse në Beograd, me gjasë synon destabilizimin e Bosnjes dhe veriut të Kosovës
Kremlini në mënyrë të hapur po e përdorë Serbinë për të kërcënuar me destabilizim edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo çështje është ngritur edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu në konferencën e sigurisë në Mynih.
Se cilat do të jenë veprimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të menjanuar një ndërhyrje ruse që rrezikon seriozisht stabilitetin e rajonit ende nuk dihet, por fushata e Rusisë nëpërmjet Serbisë është e hapur dhe e dukshme për të gjithë.
/TV Malisheva