Situata e njëjtë që po mbizotëron në Ballkanin Perëndimor është duke shkuar në favor të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kështu është shprehur njohësi amerikan i çështjeve gjeopolitike, Edward P. Joseph duke shtuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ai presidencës boshnjake, Milorad Dodik vazhdojnë të qëndrojnë të gatshëm për të destabilizuar rajonin.

“Vladimir Putin për të përfituar nga problemet në Ballkan nuk ka nevojë të bëjë një luftë të re. Vladimir Putin përfiton në Ballkan edhe duke e mbajtur situatën të njëjtë. Duke i mbajtur këto tensione në rritje, duke u përpjekur për të krijuar tensione të reja. Por as që duhet të jetë një luftë. Nuk duhet të jetë një luftë e re, për shembull në Bosnje dhe Hercegovinë, që ai të përfitojë. Për sa kohë që situata mbetet e tillë, besimi në këtë rajon, në SHBA dhe në Bashkimin Evropian bie. Mbështetja për Bashkimin Evropian bie. Ai mund ta përdorë këtë si shembull, në sytë e tij, të një projekti të dështuar, të një Bashkimi Evropian të dështuar, pikërisht ashtu siç po përpiqet të përdorë dhe demonstrojë në Ukrainë. Dhe përveç kësaj ai përfiton duke e mbajtur këtë rajon në këtë mënyrë”, tha për The Geopost, analisti Joseph.

Ai në një intervistë për këtë media thekson se Vuçiq, veçanërisht, është aleati i Putinit dhe punon me të njëjtën agjendë.

“Ai ka një aleat që e ndihmon të realizojë agjendën dhe ai aleat është në Serbi, ai është presidenti Aleksandar Vuçiq që e ka demonstruar atë, edhe para pushtimit. Por tani pushtimit rus e shohim me qartësi, se ai është partneri i Vladimir Putinit në të njëjtën agjendë të mbajtjes së këtij rajoni të ndarë dhe përpjekjes për të ndarë Evropën”, thekson ai.

Për analistin Joseph, presidenti serb do të jetë përfituesi kryesor i një destabilizimi të mundshëm në rajon, duke e shtyrë Dodikun të bëjë një gjë të tillë.

“Loja nuk është se Vuçiq do ta shtyjë Dodikun që të bëjë telashe. Është se Vuçiq përfiton nga ky destabilizimi i mundshëm. Pra, kështu shkon loja sepse njerëzit kanë frikë se Dodik do të fillojë diçka sepse ai ka mbështetjen ruse që SHBA-ja dhe BE-ja më pas duhet t’i drejtohen Beogradit, duhet t’i drejtohen Aleksandar Vuçiqit dhe të thonë ‘do të na ndihmoni të kontrollojmë Dodikun?’. Dhe kjo është një lojë. Kjo është ajo që ne e quajmë në Shtetet e Bashkuara një raketë, është një mashtrim”, shprehet Joseph.

Sipas tij, ideja e “Botës Serbe”, është kërcenim për sovranitetin e Malit të Zi dhe pengesë për ecjen tutje të Kosovës.

“Aleksandar Vuçiq po propozon pikërisht strategjinë që e realizon Dodiku. Ai pretendon se respekton sovranitetin boshnjak, ndërkohë flet për ‘Botën Serbe’ dhe bart politikën tonë botërore serbe duke cenuar sovranitetin e Malit të Zi dhe gjithashtu duke e penguar Kosovën të ecë përpara, duke e bllokuar Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Pra, Aleksandar Vuçiq kryen një agjendë të ngjashme. Ai nuk ka pse të ketë një luftë të re dhe Putini nuk ka nevojë për një luftë të re në këtë rajon në mënyrë që të përfitojnë për ta mbajtur atë të paqëndrueshëm. Por status quo-ja e qëndrueshme është gjithashtu e dobishme për Moskën, siç është edhe përkeqësimi”, përfundon ai.

Në këtë intervistë, Joseph ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Prishtinë dhe mundësin e Putinit me “një Putin” tjetër./TV Malisheva

Share.