Gazeta amerikane “New York Times” shkruan se furnizuesit amerikanë të armëve kanë qenë duke bashkëpunuar me fabrika municioni në Evropën lindore për një kohë të gjatë, në mënyrë që t’i ndihmohet Ukrainës me armatim.

Njëra nga vendet nga vinë këto armë është edhe Serbia, shkruan e përditshmja amerikane NYT.

Teksti gjithashtu thotë se njëra nga kompanitë e përfshira në gjetjen e fabrikave që mund të prodhojnë armë dhe municione “jostandarde” është “Florida Ultra Defense” e cila bashkëpunon me prodhues të armëve në Rumani, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Sllovaki, Çeki dhe Bullgari.

E përditshmja kroate “Jutarnji list” thekson se “Zastava” në Kragujevac është pjesëmarrëse në tërë këtë punë.

“Roli i Serbisë në atë projekt është interesant sepse punon kundër Rusisë duke dërguar armë dhe municione në mënyrë indirekte në Ukrainë. Ky informacion hedh dritë mbi procesin e presionit ndaj Beogradit për të vendosur sanksione ndaj Moskës”, përcolli Jutarnji list.

“Shitja e armëve dhe municioneve dhe mbase edhe armëve tjera për mbrojte të Ukrainës është faktor. Moska sigurisht se është në dijeni për pjesëmarrjen e Serbisë në armatimin e Kievit, por sipas gjasave është e detyruar të pranojë një lojë të këtillë sepse e di që nuk mund ta ndalojë Aleksnadër Vuçiçin në këtë biznes kaq fitimprurës”, tha gazeta kroate.

Në të njëjtën kohë, thuhet se është duke u zhvilluar modernizimi i arsenalit ukrainas duke ofruar lloje të reja armësh sipas standardeve të NATO-s, si dhe trajnimin e trupave ukrainase.

“Në një vendndodhje të paidentifikuar në Poloni, artileria ukrainase po praktikon përdorimin e obuseve amerikane 155 milimetra me një rreze veprimi deri në 40 kilometra. ShBA dhe partnerët, pasi mbrojtën Ukrainën nga sulmi i parë rus, tani po prezantojnë gradualisht “municionin standard” në përputhje me standardet e NATO-s. Sepse në atë rast, varësia nga, të themi, Serbia, zvogëlohet, gjë që është e rëndësishme në dritën e vazhdimit të pritshëm të konfliktit dhe rregullimit të mëvonshëm të arkitekturës së sigurisë në Ukrainë dhe Detin e Zi”, shkroi New York Times./TV Malisheva

Share.