Sot kanë filluar punimet në asfaltimin e disa rrugëve në fshatin Temeqinë të Komunës së Malishevës.
Punimet në këto rrugë të fshatit Temeqinë, i ka parë nga afër edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Avdi Morina, ku është takuar edhe me banorët e këtij fshatit, e të cilët i ka uruar për rregullimin e rrugëve, si dhe është zotuar për realizimin e të gjitha projekteve në infrastrukturën rrugore.
“Juve banorë të Temeqinës, ju uroj për rregullimin e rrugëve dhe ju siguroj se të gjitha projektet infrastrukturore, e sidomos rregullimi i rrugëve të planifikuara, do të realizohet, pavarësisht problemeve me të cilat përballen operatorët, për shkak të krizës së përgjithshme, jo vetëm në vendin tonë. Jemi duke u angazhuar maksimalisht, që të gjitha projektet e planifikuara të përfundojmë”, ka thënë drejtori Morina.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Avdi Morina, ka bërë të ditur se në Temeqinë, po asfaltohen rreth 500 metra rrugë në lagjet e fshatit, të cilat lidhen me rrugët kryesore në fshat dhe asfaltimi i tyre mundësohet nga buxheti i Komunës së Malishevës.