Në kuadër të rregullimit dhe ndërtimit të infrastrukturës së përgjithshme në Komunën e Malishevës, e në veçanti të infrastrukturës rrugore, sot në fshatin Tërpezë ka filluar rregullimi i plotë i rreth një kilometër rrugë, në disa lagje dhe me këtë investim përmbyllet rregullimi i rrugëve në të gjitha segmentet rrugore të këtij fshati.
Punimet kanë filluar në lagje “Lahaj”, ku do të rregullohen 600 metra rrugë, që përfshin hapjen zgjerimin dhe ndërtimin e saj deri në asfaltim, dhe më pas vazhdohet edhe me rrugët tjera. Në fillimin e punimeve në rrugët e fshatit Tërpezë, ishin të pranishëm, drejtorët komunal, Ahmet Morina, i urbanizimit, Valon Mazreku, i financave, Bashkim Krasniqi, i gjeodezisë, pastaj shefi i prokurimit, Nuhi Shala, të cilët janë pritur nga kryetari i fshatit Halil Krasniqi dhe anëtar tjerë të kryesisë së fshatit dhe banorët e lagjes “Lahaj”.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ahmet Morina i ka uruar banorët e kësaj lagje dhe të lagjeve tjera që janë të përfshirë në rregullimin e rrugëve të tyre, dhe ka thënë se me këto investime rrumbullaksohen investimet në rrugët e fshati, pasi tashmë të gjitha segmentet rrugore mbulohen.
Morina ka bërë të ditur se rrugët e fshatit në të gjitha segmentet, kanë një gjatë prej një kilometër dhe të gjitha këto mundësohen nga buxheti i Komunës së Malishevës./TV Malisheva