Është e re në moshë por me synime të mëdha. Stërvitet dy herë në ditë me përkushtim maksimal që një ditë t’i sjellë medalje eveopiane dhe botërore Kosovës.
Është kjo Donjeta Sadiku që ka zgjedhur boksin si sportin përmes së cilit synon t’i arrijë objektivat e saj. Edhe pse u përball me shumë paragjykime, Donjeta thotë se ishte përkrahja e familjes që ia bëri më të lehtë nisjen e këtij rrugëtimi.
Sadiku: Isha 12 vjeçare kur fillova të merrem me boks
“Unë kam filluar boksin qysh në moshën 12-vjeçare edhe si një 12-vjeçare ishte e vështirë të merrem me sportin e boksit për arsye se ka qenë shumë i pazhvilluar për femra në Kosovë, mirëpo kam pasur përkrahjen e familjes, shoqërisë dhe kam arritur që të jem këtu[…]Fillimisht ka pasur paragjykime prej shoqërisë, mirëpo prej familjes kam pasur përkrahje edhe pse ka pasur pyetje se përse pikërisht me boksin, boksi ta dëmton fytyrën. Mirëpo që gjithmonë e kam pasur pëëërkrahjen e familjes dhe mua më është dashur vetëm përkrahja e familjes që të vazhdojë tutje dhe sot jam këtu ku jam”, tha Sadiku.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Donjeta preku sukseset e para, e të cilat në kohën kur ato u arritën ishte befasi e madhe për të gjithë.
Duke folur ajo veçon sukseset kulminante të saj deri në këtë pikë karrierës.
Sadiku: Jam nënkampione e botës dhe kampione e evropës
“Kam pasur disa ndeshje rajonale, por ndeshja kryesore dhe që në një farë forme kam thyer tabu ka qenë Kampionati Botëror ku kam arritur të shpallem nënkampione botërore edhe ka qenë një befasi për boksin e Kosovës[…]Mund ta veçojë edhe Kampionatin Evropian që kam marrë pjesë në Turqi ku kam arritur që të shpallem edhe kampione e evropës”, shtoi më tej Donjeta Sadiku.
Por ëndrra e boksierës së Kosovës nuk ndalon këtu. Synimet e saj janë të mëdha. Sadiku thotë se synimi i saj kryesor është Kampionati Botëror që mbahet gjatë këtij viti dhe që do të punojë fuqishëm për ta sjellë së paku një medalje në Kosovë.
Sadiku: Dua që gjatë këtij viti t’ia sjellë Kosovës një medalje
“Synimi im kryesor për vitin 2022 është Kampionati Botëror, po ashtu kam edhe gara të tjera por qëllimi kryesor është Kampionati Botëror. Po ashtu kam edhe gara evropiane, Lojërat Mesdhetare dhe shpresoj që këtë vit të ketë ndonjë medalje nga këto gara boksi kosovar”, theksoi ajo.
E derisa falenderon familjen dhe të gjithë bashkëpuntorët e saj, Sadiku flet për kushtet në të cilat stërvitet dhe ka një lutje për Ministrinë e Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës.
Sadiku: Kjo është lutja ime për KOK-un dhe MKRS-në
“Sa i përket sallave dhe kushteve janë shumë të mira në Kosovë. Gjithçka çfarë mungon në Kosovë janë të ketë sparingje me femra dhe e kisha lutur si Komitetin Olimpik dhe ministrinë që të na përkrah për të pasur kampe jashtë vendit…Kisha dashur ta falenderojë familjen time për përkrahjen e vazhdueshme që e kam, trajneren time, Federatën e Boksit, Komitetin Olimpik si dhe mbështetjen që ma jep klubi i boksit “Dardanët”, tha krejt në fund boksierja nga Kosova.
Donjeta Sadiku së fundi mori pjesë në turneun ndërkombëtar të boksit “Strangja” që u mbajt në Bullgari ku pati performancë shumë të mirë, edhe pse nuk u fut në zonën e medaljeve.
/TV Malisheva