Pesë ministra dhe një zëvendësministre e Qeverisë Kurti janë nën hetim nga Task Forca e Policisë së Kosovës.
Ata po hetohen nën dyshimin për afera korruptive.
Lidhur me këtë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për Gazeta Blic se më nuk i habitë asgjë nga qeveria dhe se qëllimi i saj paska qenë përfitime me mashtrime për të ardhur në pushtet.
“Tashmë asgjë nuk na çuditë nga kjo qeveri, as ndryshimi i qëndrimeve dhe parimeve. Qëllimi i kësaj mazhorance paska qenë me përfitu me mashtrime për të ardhur në pushtet”, thotë ajo.
Sipas deputetes së AAK-së, tani për hetimet për korrupsion po mundohen ta fshehin, ndërsa që në të kaluarën nëse do të kishte ministra nën hetime, do të ishte bërë shumë zhurmë.
“Edhe në rastin e korrupsionit tash po heshtin e po mundohen ta arsyetojnë. Po korrupsioni është korrupsion në çdo periudhë e etapë. Nëse në të kaluarën do të kishte pasur ministra në hetime, do të ishte bërë shumë zhurmë e do të ishin gjykuar prijësit e institucioneve. E sot po heshtin sikurse asgjë s’po ndodhë e që është kinse krejt normale”, vlerëson Kadrijaj.
Ajo shton se qeveria e ka degraduar e izoluar vendin, i cili dhe është sanksionuar, andaj qeveria duhet sa më parë të shkojë në shtëpi.
“Kjo qeveri e ka degraduar vendin, e ka izoluar dhe vendi jonë është i sanksionuar. Andaj, sa më shpejt që kjo qeveri shkon në shtëpi do të jetë mirë për Kosovën dhe popullin e Kosovës”, deklaron deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
/TV Malisheva