Ricardo Leite Kaka e ka pranuar se shumica e momenteve të mira në karrierën e tij ishin me Milanin, por edhe momentet e këqija ishin me Rossonerët.
Braziliani foli në Instagramin zyrtar të FIFA-s në një seancë të Q&A me tifozët, duke analizuar kohën e tij të jashtëzakonshme si futbollist aktiv.
Në pyetjet e drejtuara, Kaka ka zbuluar momentin më të mirë dhe atë më të keq në karrierë.
“Shumica e momenteve më të mira në karrierën time ishin te Milani: trofeu i Ligës së Kampionëve në 2007, Kupa e Botës për Klube, Topi i Artë dhe Lojtari i Vitit nga FIFA”, ka thënë fillimisht Kaka.
Sidoqoftë, momenti më i keq i karrierës së tij ishte gjithashtu kur përfaqësoi kuqezinjtë.
“Finalja e Stambollit në vitin 2005. Nuk më duhet të them më shumë se kaq”.
Milani kishte udhëhequr 3-0 atë finale të Ligës së Kampionëve para se të pranonte tre gola nga Liverpooli në gjashtë minuta, duke humbur përfundimisht në penallti.
“Kam luajtur përkrah disa figurave vërtet fenomenale në karrierën time, por Ronaldo ishte më i miri. Pas kësaj, unë do të thosha Ronaldinho, me të cilin isha në gjendje të përballesha shumë herë me Milanin dhe Real Madridin”, përfundoi braziliani./ Tv Malisheva