Shërbimi pyjor i Rusisë ka thënë se rreth 300 zjarre janë aktive në pjesën malore veriore të vendit. Zjarrfikësit po mundohen t’i shuajnë flakët përmes disa metodave, përfshirë eksplozivët dhe nxitjen e reve.
Moti i ngrohtë që nga janari në pjesë të mëdha të Siberisë, i kombinuar me lagështi të vogël të tokës, ka ndikuar në rikthimin e zjarreve në natyrë, që verën e kaluar e shkatërruan këtë rajon, tha rrjeti për monitorimin e klimës i Bashkimit Evropian.
Ky rrjet njoftoi se numri dhe intensiteti i zjarreve në Siberi dhe në disa pjesë të Alaksës janë rritur nga mesi i qershorit, duke shkaktuar lirimin e sasisë më të madhe të karbonit për një muaj që nga fillimi i matjeve.
Kjo sasi ishte 59 milionë tonë, shkruan “France24”.
Shërbimi Rus për Mbrojtje të Pyjeve tha të shtunën se është duke luftuar me 136 zjarre në një sipërfaqe prej 43,000 hektarësh.
Megjithatë, 159 zjarre të tjera janvë vlerësuar shumë të skajshme dhe shumë të shtrenjta për t’u menaxhuar. 333,000 hektarë janë tash për tash nën flakë në zonat ku operacionet e zjarrfikësve janë ndërprerë.
Sipërfaqja që është duke u djegur këtë fundjavë është më e vogël se javën e kaluar, kur u raportua se zjarret i kanë kapluar dy milionë hektarë.Sipas shërbimit të motit, zjarret këtë vit e kanë mbuluar një sipërfaqe që është për 9.6 për qind më e madhe se sipërfaqja e vitit të kaluar për të njëjtën periudhë./Tv Malisheva