Në prag të ripërsëritjes së procesit zgjedhor në Tërnoc, Shaip Kamberi tha se më e rëndësishmja është që të kuptohet zelli i pushteti në Beograd kundër shqiptarëve, raporton TV Malisheva.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kamberi e quan referndum ditën e premte kundër politikës shtetërore të fshirjes së shqiptarëve.

Kamberi ju bëri thirrje të gjithëve që të votojnë në mënyrë që t’i themi ” JO politikës së fshirjes së shqiptarëve”.

“Andaj ju ftoj të gjithëve, votuesve të vendvotimit në Tërnoc, si dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në mënyrë indirekte, kudo që jeni, të ndihmohemi, të mobilizohemi dhe të organizohemi, për t’i thënë JO politikës së fshirjes së shqiptarëve duke votuar numrin 16”.

POSTIMI I PLOTË:

E PREMTJA ËSHTË REFERENDUM KUNDËR POLITIKËS SHTETËRORE TË FSHIRJES SË SHQIPTARËVE

Të nderuar qytetarë,

Të premten kemi zgjedhje për herë të tretë në Tërnoc.
Kjo vetëm për një arsye.
Se pushteti i SNS dhe SPS në Beograd ka vendosur me ia pamundësuar me çdo kusht shqiptarëve të kenë deputet.

Së fundi ishte personalisht Ivica Daçiqi ai që e keqpërdori shtetin për t`i përbuzur votat e rreth 700 qytetarëve të Tërnocit, respektivisht të mbi 13.000 shqiptarëve.
Dy herë mobilizuan të gjitha strukturat e shtetit. Policinë, gjykatat, komisionet zgjedhore, ministritë, mediat pro-qeveritare etj. Veprojnë sikurse të jemi në gjendje lufte të pashpallur. Se lufta s’është vetëm e armatosur.
Të dashur tërnocas,
Me rëndësi është të kuptohet se zelli i tyre për ta pamundësuar deputetin shqiptar në Beograd nuk është arsye elektorale. Se një deputet i vetëm nuk ia rrezikon pushtetin. Thjesht është politikë antishqiptare.

Pra, lufta e tyre kundër deputetit shqiptar në parlament është vazhdimësi e politikës së fshirjes së shqiptarëve.
Vazhdimësi e pasivizimit të vendbanimeve.
I kanë fshirë shqiptarët nga drejtësia, siguria dhe ekonomia.
Kanë fshirë flamurin kombëtar shqiptar. Kanë fshirë diplomat e të rinjve. Kanë fshirë punëtorin.
I fshijnë shqiptarët nga institucionet. I fshijnë nga shtëpitë e tyre.
Jo vetëm nuk përfshijnë shqiptarët në spital, në doganë, në postë, në inspeksione etj. Por i përjashtuan edhe ata pak shqiptarë të mbetur në Medvegjë nga pushteti lokal.
Pra nuk do të ndalen me eliminimin e deputetit shqiptar në parlament.
Politika e fshirjes së shqiptarëve është politika e tyre para së premtes. Do të jetë politika e tyre pas së premtes.
Prandaj,
– E premtja nuk është dita e fitores së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe aq më pak e imja personalisht.
– E premtja është dita e Referendumit kundër politikës shtetërore të fshirjes së shqiptarëve.
Andaj ju ftoj të gjithëve, votuesve të vendvotimit në Tërnoc, si dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në mënyrë indirekte, kudo që jeni, të ndihmohemi, të mobilizohemi dhe të organizohemi, për t’i thënë JO politikës së fshirjes së shqiptarëve duke votuar numrin 16.
Të premten,
Daçiqi nuk kalon!
Tërnoci voton!
Shqiptarët fitojnë!

Share.