Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka pasur përsëri një fjalim mjaftë domethënës.

Kamberi ka deklaruar se Serbia është një shtet i papërfunduar dhe se çështja e së ardhmes së saj nuk është zgjidhur ende, për shkak të aspiratave territoriale.

“Serbia nuk është në gjendje të kryejë integrimin e brendshëm”, tha ai.

Kamberi deklaroi gjithashtu se nacionalizmi ekstrem serb që mbizotëroi gjatë viteve 1990 në thelb ka ndryshuar vetëm formën.

Deputeti Kamberi theksoi se Serbia ka krijuar një shtet kombëtar homogjen i cili përjashton kompromisin për pakicat.

“Qeveria po krijon një realitet paralel, duke fyer kundërshtarët me metoda staliniste dhe se diskriminimi është i zakonshëm në Serbi. Institucionet shtetërore janë kthyer në një bastion dhe Qeveria nuk ka bërë asgjë këtë vit për të përmirësuar të drejtat e njeriut dhe pakicave. 30 vjet nga rënia e sistemit njëpartiak, Serbia është larg ndërtimit të një republike moderne, civile dhe demokratike”, shtoi ai.

Duhet përkujtuar që Shaip Kamberi pati edhe para disa javësh një fjalim mjaftë të fuqishëm në këtë Parlament, ku më pas vendosi edhe flamurin kombëtar shqiptar në foltoren e tij.

Share.