Luis Suarez ka arritur ta shtojë edhe një trofe në kabinetin e tij, pasi që e fitoi titullin e kampionatit uruguaian me skuadrën Nacional, 16 vite pasi që e ngriti këtë trofe për herë të parë.

35 vjeçari e filloi karrierën e tij me klubin e tij të fëmijërisë, Nacional, dhe e fitoi titullin e kampionit në sezonin e tij të parë të plotë në futbollin profesionist, duke shënuar 10 gola në 27 paraqitje në edicionin 2005/06.

Ishte pikërisht ai sezon nga i cili Suarez e filloi rrugëtimin e tij drejt majave të futbollit, duke iu bashkuar skuadrës holandeze Groningen, asokohe në verë.

Suarez vazhdoi që të arrijë suksese të mëdha, ku e fitoi titullin e Eredivisie me Ajaxin, Kupën e Ligës me Liverpoolin, katër tituj të La Ligas dhe Ligën e Kampionëve me Barcelonën, para se të shtonte edhe një titull spanjoll me Atletico Madridin në kabinetin e tij të trofeve, pa përmendur këtu Kupën e Amerikës me shtetin e tij.

Sidoqoftë, pasi që u rikthye në Uruguai me skuadrën e Nacional, Suarez mund ta ketë lënë titullin e tij më të çmuar për fund.

Nacional e siguroi titullin e kampionit të Primer Division ku ka mbetur edhe një ndeshje deri në fund të kampionatit aktual, me fitore 2:1 ndaj skuadrës së Cerritos, një ndeshje që pritet të jetë ndeshja e parafundit e Suarez për klubin.

Suarez iu bashkua Nacionalit në muajin korrik, por tani është vendosur të largohet sërish si lojtar i lirë pasi sezoni të përfundojë në fund të tetorit.

/TV Malisheva

Share.