Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadoren e Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt.

Përmes një komunikate, bëhet e ditur që Kurti ka falënderuar ambasadoren për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Kanadasë në proceset shtetformuese të Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt. Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Kanadasë në të gjitha proceset shtetformuese të Republikës së Kosovës. Ai shprehu mirënjohjen në veçanti për mbështetjen e dhënë për zhvillim, avancim të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, si dhe përkrahjen në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, ambasadorja Blitt ka ritheksuar angazhimin e Kanadsë ndaj Kosovës, për integrim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Ambasadorja Blitt, e cila është ambasadore rezidente në Zagreb të Kroacisë, falënderoi kryeministrin Kurti për mikpritjen. Ajo ritheksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kanadasë ndaj Republikës së Kosovës, si dhe mbështetjen në rrugëtimin e saj për integrim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu, duke theksuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, u ritheksua përkushtimi për zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit dhe mundësive në sektorin e minierave, energjisë së ripërtëritshme dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit.

/TV Malisheva

Share.