Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron të shpenzojë dy miliardë euro shtesë për pajisje të reja ushtarake, kryesisht për të ndihmuar Ukrainën, tha të premten një burim qeveritar, raportoi Reuters.
Një shtesë prej 400 milion euro janë caktuar për Fondin Evropian të Paqes, i cili blen armë për Ukrainën, ndërsa disa shpenzime të tjera do të jenë për dërgesat bilaterale në Ukrainë dhe gjetkë, tha burimi, të premten, më 15 prill.
Më herët, ministri gjerman i ekonomisë tha se gjermanët duhet të fillojnë të kursejnë energji për t’u bërë më të pavarur nga karburantet fosile ruse, gjë që do të ishte gjithashtu një nga përgjigjet ndaj Rusisë, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.
Në kohën kur po ngrihet numri i rasteve të vdekjeve të civilëve në Ukrainë, gjatë pushtimit rus, Gjermania është nën presion për t’u larguar nga gazi dhe nafta ruse, pasi kritikët thonë se të ardhurat e Moskës ofrojnë mjete jetike për të bërë luftë.
Moska e përshkruan pushtimin e saj në Ukrainë si një “operacion special ushtarak”.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se Gjermania mund të bëhet më pak e varur nëse qytetarët reduktojnë konsumin e energjisë, duke propozuar përdorimin e trenave ose biçikletave, sa herë që është e mundur, në vend të vozitjes me automjete.
“Çdo kilometër që nuk kalohet, kontribuon në ikjen më të lehtë nga furnizimet me energji të Rusisë. Gjithashtu e mbrojmë edhe klimën”, tha Habeck në një intervistë për Funke Media Group, raportoi Reuters.
Habeck tha se një reduktim prej 10 për qind të konsumimit individual të energjisë është i mundur, duke shtuar se punëdhënësit mund të kontribuojnë duke u ofruar punëtorëve mundësinë për të punuar nga shtëpia, kudo që të jetë e mundur.
/TV Malisheva