Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me Kancelarin Federal të Austrisë, z. Sebastian Kurz, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike, menaxhimin e pandemisë Covid-19, distribuimin e vaksinave, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për bashkëpunimin bilateral.
Kryeministri Hoti e njoftoi Kancelarin Kurz me zhvillimet aktuale dhe punën e Qeverisë në detyrë, e cila po i kryen të gjitha obligimet në përputhje me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e vendit.
Kryeministri Hoti me Kancelarin Kurz, bisedoi edhe për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kryeministri Hoti me Kancelarin Kurz bisedoi edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku mori mbështetjen e tij për vazhdimin e punës së mirë të Qeverisë, në mirëmbajtjen e kritereve të plotësuara për liberalizim në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës sa më parë të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Me kërkesë të Kryeministrit Hoti, Kancelari Kurz konfirmoi se Austria do të konsiderojë vazhdimin e marrëveshjes për kredi të butë me Kosovën, kryesisht për projekte për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza.