Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka kërkuar që zgjedhjet të jenë suksesshme.

Pasi votoi ai tha se serbëve po u bëhet presion të mos votojnë, por thotë se presin të dalin edhe ata në zgjedhje.

“E kreva obligimin qytetarë dhe kushtetues, votuam që të jenë të suksesshme dhe me siguri do të jenë ashtu. Siç duket procesi po shkon në mirë dhe pres që këto zgjedhje të shkojnë në rregull dhe ftoj qytetarët që të dalin në këto zgjedhje”.

“Sa i përket serbëve, nuk e di a ka ndonjë votues, dihet presioni që po u bëhet serbëve dhe presim që edhe ata të dalin”, tha tutje ai.

“Unë besoj se me dëshirë do të dilnin një pjesë e madhe nëse do të ishin të lirë sepse kanë qenë ato incidentet me djegie të veturave e nëpër prona dhe ato kanë qenë një far presioni që duhet të jenë të dëgjueshëm ndaj grupeve të caktuara”.

“Fjalën do ta thotë ligji, unë do të jem i gatshëm dhe do ta marrë përgjegjësinë që të udhëheq me komunën”.

Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.

Nga stacionet policore, kontejnerët që do të përdoren si qendra votimi në zgjedhjet e së dielës në veri, janë shpërndarë nëpër terren.

Objekte të tilla janë vendosur në 13 lokacione në katër komunat me shumicë serbe.

Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar zgjedhjet nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët.

/TV Malisheva

Share.