Alban Krasniqi që synon pozitën e kreut të Komunës së Malishevës, në kuadër të fushatës zgjedhore ka zhvilluar një takim edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut në Malishevë, shkruan TV Malisheva.
Krasniqi mes të tjerave thekson se me ardhjen e tyre në krye të Malishevës, një nga pikat kyçe do të jetë zbatimi i Kontratës Kolektive.
“Me qeverisjen tonë në Malishevë, pas 17 Tetorit, një nga pikat kyçe do të jetë zbatimi i Kontratës Kolektive për pjesët për të cilat komuna është përgjegjëse dhe do të shfrytëzoj mekanizmat financiarë dhe ligjorë për zbatimin e këtij dokumenti të rëndësishëm”, ka theksuar Krasniqi, përcjell TV Malisheva.
Ja shkrimi i tij:
Nga takimi i përzemërt që zhvillova me përfaqësuesit e SBAShK-ut në Malishevë, kryetarin Skënder Gashi, nënkryetarin Naser Krasniqi dhe anëtarin e këshillit drejtues në qendër Haxhi Berisha.
Fillimisht falënderova dhe vlerësova lart për punën dhe aktivitet që zhvillojnë me përkushtim në të mirë të arsimit.
Takimin e filluam me disa pyetje me interes për punëtorët arsimorë rreth sfidave dhe problemeve me të cilët ata përballen çdo ditë, konkretisht në këtë kohë pandemie ku si qytezë kemi një numër të madh të infektimesh dhe së fundi edhe humbje jetësh.
U njohëm dhe diskutuam për pakënaqësitë e shumta rreth mbështetjes financiare ndaj punonjësve arsimorë që nuk kishin marrë mbështetje, mbase shpenzimet për një të infektuar shkonin deri në 1000 euro.
Me qeverisjen tonë në Malishevë, pas 17 Tetorit, një nga pikat kyçe do të jetë zbatimi i Kontratës Kolektive për pjesët për të cilat komuna është përgjegjëse dhe do të shfrytëzoj mekanizmat financiarë dhe ligjorë për zbatimin e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Përveç kësaj kontrate, ne do të thellojmë bashkëpunimin me sindikatën siç edhe e parasheh ligji në proceset monitoruese duke u integruar përfaqësuesit e Sindikatës, Komunitetit të Prindërve dhe Këshillit Drejtues, në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave ashtu edhe në përzgjedhjen e kuadrit të ri arsimor sepse kjo formë mundëson një proces sa ma transparent aq edhe cilësor sipas meritokracisë.
Me qeverisjen tonë, do t’u sigurohet një ambient (zyre) e përshtatshme për punë dhe zhvillim të aktiviteteve.
Do të organizojmë trajnim për zhvillim profesional për mësimdhënës dhe ngritje të cilësisë.
Të gjithë mësimdhënësit që kanë zëvendësuar mësimdhënësit e infektuar në kohë pandemie do t’u ekzekutohen mjetet e përcaktuara sipas MASTERPLANIT.
Ne do të organizojmë gara dhe kuize të ndryshme mes shkollash (shkollë-shkollë) që kanë për synim socializimin e nxënësve dhe arritjen e rezultateve të nxënit sipas shkallëve dhe niveleve të përcaktuara në Kornizën Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar.
Gjithashtu, një hap tjetër i rëndësishëm për të cilin do të veprojmë është ‘’Siguria në shkolla’’.
Ne u dakorduam me SBAShK-un që të bashkëpunojmë ngushtë në nivel komune për t’i fuqizuar mekanizmat të cilët na ndihmojnë për përmirësimin e cilësisë në arsimin malishevas që prej vitesh një gjë e tillë mungon.
Do të jemi çdoherë të hapur për bashkëpunim dhe me seriozitet do t’i trajtojmë vërejtjet të cilat na drejtohen dhe do të pranojmë idetë që sindikata na ofron.
Ne do të ua zgjidhim problemin përfundimisht për sigurimin e një ambient i cili do t’u mundësojë kushte për punë më efikase.
Në këtë takim miqësor më shoqëruan Dafina Krasniqi dhe Erion Bytyqi, të dy këta kandidatë për asamble komunale.
144Bashkëqeverisim! /TV Malisheva