Me të ndodhur aksidenti tragjik në Kroaci, ambasadori i Kosovës në Zagreb, Gëzim Kasapolli doli në vendin e ngjarjes.
Kasapolli nga aty ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, ku tha edhe se do të jenë pranë familjeve për të kaluar këtë situatë të rëndë.
Ai tha janë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet kroate.
“Për fat të keq, ka ndodhur një aksident i tmerrshëm dhe dua të falënderojë Qeverinë e Kroacisë dhe të gjitha shërbimet që kanë ndihmuar në këtë moment të tmerrshëm. Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që kanë humbur jetën dhe i lus që të kenë forcën dhe mirëkuptimin sepse ne, të gjitha institucionet në Kroaci e Kosovë, do të jemi me ta në këtë kohë të vështirë[…]Të gjithë janë njerëz që punojnë në Gjermani dhe donin të kalonin pushimet në Kosovë. Fatkeqësisht ka qenë edhe kompania jonë , autobusi jonë nga Gjakova, këto janë informacionet që i kemi. Por besoni që kjo është shumë e vështirë për të gjithë ne. Jemi dëgjuar me disa nga familjaret e te lënduarve dhe t vdekurve, fatkeqësisht për ta nuk kemi lajme të mira. Vetëm kërkojmë nga ta që të kenë fuqi ta kalojnë këtë situatë”, tha Kasapolli.
Në aksidentin e së dielës humbën jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Autobusi që vinte nga Gjermania për në Kosovë ishte vetaksidentuar, pasi që sipas dyshimeve të para raportohet që shoferin e kishte zënë gjumi.
Drejt Kroacisë edhe ku ndodhi tragjedia tashmë është nisur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në orët e hershme rrugën për tek vendi i ngjarjes është nisur edhe ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla si dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia./TV Malisheva