Në kuadër të shënimit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, edhe Komuna e Malishevës po i mbanë aktivitetet tradicionale dhe sipas agjendës shtetërore, për shënimin e ngjarjes më të rëndësishme të luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, e që është sulmi i tretë mbi familjen Jashari në Prekaz dhe sakrificën e familjes së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur një seancë solemne, kushtuar kësaj ngjarje, e cila përveç sakrificës së familjes Jashari, ka shënuar kthesë të madhe në luftën për çlirim, pasi luftës treditëshe të familjes Jashari, ju bashkua më pas i tërë populli shqiptar dhe e fituam këtë luftë, përkundër humbjeve dhe të dëmeve të mëdha, e sidomos humbjeve në njerëz.
Në këtë seancë solemne, kanë mbajtur fjalimet e tyre, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi dhe kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, e të cilët gjatë fjalimeve të tyre, kanë folur për sakrificën e Familjes Jashari, më 5,6 dhe 7 mars 1998, për rëndësinë e kësaj ngjarje dhe jehonën që ka pasur, e që më pas, populli shqiptar u mobilizua edhe më shumë, duke ju bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në çlirimin e plotë.
“Ngjarja e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998,është ngjarja më unike në botë, kur një ushtri e tërë, luftoi kundër një familje, për tre ditë pa u ndalë, dhe në të njëjtën kohë shënon rasti e vetëm, kur një familje e tërë sakrifikohet, duke luftuar për tre ditë pa ndërpre”, ka thënë mes tjerash kryetari Kastrati në fjalën e tij me rastin e shënimit të “Epopesë së UÇK-së”.
Më pas janë bërë homazhe e nderime në varrezat e dëshmorëve në Malishevë e Kleçkë, për të vazhduar në Prekazin në legjendar, ku janë bërë nderime dhe homazhe për të gjithë të rënët e 5,6 dhe 7 marsit në Prekaz.
Për shënimin e “Epopesë së UÇK-së”, Komuna e Malishevës, ka organizuar disa aktivitete, të cilat përfundojnë nesër me ndezjen e flakadanëve në kompleksin “Kodra e UÇK-së” në Ngucat.
/TV Malisheva