Nisma Socialdemokrate në Malishevë, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim elektoral me gratë dhe vajzat e strukturës drejtuese të Nismës, shkruan TV Malisheva.

Kandidati i këtij subjekti për kryetar të Malishevës, Ekrem Kastrati, përmes një postimi në Facebook, thotë se është nder i madh për secilin qytetarë të Malishevës që të votojnë listën fantastike të grave e zonjave intelektuale të Nismës Socialdemokrate.

“Ftesa ime për çdo nënë e grua të Llapushës është që të mbështeten kandidatet e Nismës, sepse me zërin e tyre, përvojën dhe profesionalizmin e tyre do të vazhdojnë ta fisnikërojnë politikën komunale dhe të kontribuojnë për të dërguar në një stad tjetër zhvillimin dhe emancipimin kulturor, ekonomik dhe social të familjes së Llapushës e përtej saj”, shkruan Kastrati, përcjell TV Malisheva.

Ja shkrimi i Kastratit:

Në oborrin e shkollës fillore që mban emrin e njërit prej shokëve tanë të shkollës, veprimit e aktivitetit kombëtar, tani heroit të Kosovës, Ibrahim Mazreku, sot mbajtëm një takim elektoral me gratë dhe vajzat e strukturës drejtuese të Nismës këtu në Malishevë.

Është një nder i madh për secilin qytetarë të Malishevës që do të ketë mundësi që më 17 tetor, të votoj listën fantastike të grave e zonjave intelektuale të Nismës Socialdemokrate.

Është shumë e rëndësishme që në komunën e Malishevës, aktivizimi i grave në politikë të jetë sa më masiv dhe besoj fort se fuqizimi i rolit të gruas në politikat tona lokale e bën më fisnike dhe më humane politikën këtu në Malishevë dhe në gjithë vendin.

Në programin tonë për mandatin e ardhshëm katër vjeçar kemi disa plane konkrete për përkrahjen e grave, si; Rritja e numrit të grave në pozita drejtuese, mundësi të barabartë në vendimmarrje dhe shanse të barabarta në tregun e punës, nënat lehona të cilat aktualisht përfitojnë një përkrahje prej 100 euro për çdo lindje, gjatë mandatit tonë të tretë nënat lehona do të mbështesim me nga 150 euro, gratë dhe vajzat e Malishevës që njihen për sukseset e tyre në bizneset e zanateve, gjatë mandatit tonë të ardhshëm do ti mbështesim fuqishëm përmes granteve dhe subvencioneve dhe lehtësimeve tjera në të bërit biznes, etj.

Ftesa ime për çdo nënë e grua të Llapushës është që të mbështeten kandidatet e Nismës, sepse me zërin e tyre, përvojën dhe profesionalizmin e tyre do të vazhdojnë ta fisnikërojnë politikën komunale dhe të kontribuojnë për të dërguar në një stad tjetër zhvillimin dhe emancipimin kulturor, ekonomik dhe social të familjes së Llapushës e përtej saj.

#NISMA119 #PërMalishevënUrbane /TV Malisheva

Share.