Katër persona janë arrestuar në flagrancë nga policia e Durrësit, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, pasi u kapën duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike.
Personat e arrestuar rezultojnë me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjeve, ndërsa është sekuestruar në cilësinë e provës materiale transformatori, pajisjet që shërbenin për çmontimin e tij dhe automjeti që do përdorej për transportin.
Shërbimet e Komisariat të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë I. N., 31-vjeç, A. H., 30-vjeç, D.T., 36-vjeç, të dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, L. V., 29- vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, të katërt banues në Tiranë.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit L. S., 54- vjeç, banues në Tiranë.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Romanat Durrës, janë konstatuar dhe kapur në flagrancë, duke vjedhur një transformator të energjisë elektrike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale vjedhja kryer në bashkëpunim, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit/TV Malisheva