Shefat e shteteve të BE-së, gjatë një samiti që u zhvillua dje dhe sot në Bruksel, kanë miratuar disa konkluzione sa i përket raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në konkluzione thuhet se Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve mbi një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe synimin për të realizuar perspektivën e tyre evropiane.
“Duke pasur parasysh tensionet e fundit në veri të Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë. Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë diskutimi në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së, që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel”, thuhet në këto konkluzione.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit një etnik, më 2 shkurt shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.
Kosova kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë.
/TV Malisheva