Procesi mësimor nëpër disa shkolla në komunat veriore të vendit është ndërprerë sot në mëngjes për shkak të mesazheve anonime kërcënuese se në to janë vendosur bomba, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it nga veriu.
“Në shkollat ‘Branko Radicevic’ në veri të Mitrovicës dhe ‘Vuk Karaxhiq’ në Zvecan, është ndërprerë mësimi dhe nxënësit kanë dalë jashtë këtyre objekteve për shkak të sigurisë. Kanë ardhur mesazhe se ka bomba të vendosura nëpër këto shkolla. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes”, kanë thënë këto burime.
Alarmi për bomba është dhënë për disa shkolla në katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë në veri,Branislav Radoviq, i cili i tha se njoftimi është pranuar në ora 7:40 të ditës së sotme.
“Policia rreth orës 7 e 40 të mëngjesit të sotëm ka marrë informacionin se nëpër disa shkolla të veriut ka mjete shpërthyese në komunat Leposaviq Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut”, deklaroi Radoviq
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ndërsa të gjithë nxënësit janë evakuuar nga këto objekte.