Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara është kërkuar më shumë mbështetje institucionale dhe përmbushje të legjislacionit për këtë kategori të njerëzve në Kosovë.

Në konferencën vjetore të personave me aftësi të kufizuar që është mbajtur sot, u theksua nevoja për përfundimin e hartimit të ligjit gjithëpërfshirës për gjithë personat me aftësi të kufizuara. Pjesëmarrës, përveç shumë organizatave që merren me mbrojtjen dhe kërkimin e të drejtave për këta persona, ishin edhe përfaqësues institucional dhe nga zyra e BE-së.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj duke folur për këtë kategori tha se gjatë qeverisjes së tij janë marrë disa vendime që sigurojnë mbështetjen e institucioneve në aspektin legjislativ, qasjen për punësim, ashtu edhe rehabilitim për personat me aftësi të kufizuar.

Haradinaj: Kemi dhënë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara

“Është plotësuar ligji për udhëzime administrative për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Edhe pse punësimi është sfidë e madhe që duhet të punojmë vazhdimisht. Është miratuar koncept-dokumenti si dhe ka filluar hartimi i ligjit gjithëpërfshirës për të gjithë personat me aftësi të kufizuara që kur përfundon do të ishte një arritje shumë e madhe. I kemi mbështet disa herë personat me aftësi të kufizuara në rehabilitim, por edhe në projekte të caktuara”, tha Haradinaj.

Kritika për moszbatim të masave që sigurojnë mbështetje institucionale adresoi Hillen Fracke nga zyra e BE-së në Kosovë. Ai kërkoi angazhim që të përfshihen disa prej obligimeve ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara.

Francke: Qasja në punësim dhe pjesëmarrje publike për personat me aftësi të kufizuara është me rëndësi

“Vetëm një e treta e obligimeve ndërkombëtare janë përshirë në legjislacionin e Kosovës. Prandaj ne kërkojmë, lusim institucionet e Kosovës, të mbyllin këto hendeqe të bëjnë këto përfshirje. Ka shumë aspekte për të përfshirë qasja në arsim dhe në kujdes shoqëror është me rëndësi kritike. Qasja në punësim dhe pjesëmarrje publike po ashtu është fushë me rëndësi kritike. Mungesa e statistikave për persona me aftësi të kufizuara është një çështje po ashtu me rëndësi në Kosovë e cila shërben për hartim të legjislacionit”, tha ajo.

Afrim Maliqi nga Hendikos duke kërkuar më shumë mbështetje institucionale, vuri ne pah sfidat në të cilat ballafaqohen ata.

Maliqi: Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me sfida

“Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore të cilat i pamundësojnë atyre jetë të mirë dhe realizimin e të drejtave që burojnë nga Kushtetuta dhe akteve të tjera ligjore”, u shpreh Maliqi.

Ndërkaq, prej Forumit Kosovar të Aftësisë se Kufizuar, Bujar Kadriu tha se duhet të bëhet më shumë në sigurimin e legjislacionit të duhur për këtë kategori të personave.

Kadriu: Jo të gjithë personat me aftësi të kufizuara përfitojnë me ligjet ekzistuese

“Jo të gjithë personat me aftësi të kufizuara përfitojnë me ligjet ekzistuese dhe e dimë se jo të gjithë personat me aftësi të kufizuara përfitojnë atë që e meritojnë. Ky ligj gjithëpërfshirës është sfidues, por njëkohësisht është inkurajues për të gjitha ato grupe që nuk përfitojnë masë të mjaftueshme në Kosovë që të bëjmë një vlerësim të duhur. Të bëhet një kornizë e përshtatshme ligjore që do të ishte e përshtatshme për të gjithë ata që do të përfitonin nga kjo strukturë”, tha ai.

Mbështetje kërkuan dhe përfaqësues të Shoqatës Kosovare të Shurdhërve dhe Shoqatës Kosovare të Personave të Verbër.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se për parimet themelore të të drejtave të njeriut, sidomos të personave me aftësi të kufizuara, duhet të punohet më shumë.

Jashari: Një koordinim ndërinstitucional duhet të fuqizohet më tepër

“Ka hapësirë jashtëzakonisht të madhe për koordinimin ndërinstitucional, pasi shihet se mungon. Ka pas avancim në periudha të ndryshme kohore, por mendoj që një koordinim ndërinstitucional duhet të fuqizohet shumë më tepër. Në mënyrë që të gjitha shqetësimet që vijnë prej OJQ-ve që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara të arrin të jetësohet”, tha Jashari.

Këtë vit moto e konferencës ka qenë “Promovimi i pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara dhe lidershipit të tyre: Ndërmarrja e veprimeve mbi Agjendën Zhvillimore 2030”./

Share.