Interi, Juventusi, Paris Saint Germain dhe Barcelona janë vënë në lëvizje për të nënshkruar me talentin italian të Brescias, Sandro Tonali, ndërsa sipas mediave italiane, janë pikërisht zikaltrit nga Milano ata që kanë avancuar më shumë në negociata.
Megjithatë bosi i “Dallëndysheve”, Massimo Cellino ka deklaruar sot se nuk ka ndërmend të ulet në tavolinë me asnjë prej klubeve, që nuk ofrojnë të paktën 50 milionë euro për kartonin e Tonalit, shifër kjo që do të jetë edhe çmimi dysheme.
Zikaltrit janë gati të paguajnë deri në 35 milionë euro për kartonin e organizatorit, që është një emër mjaft i vlerësuar nga Conte, ndërsa pjesën tjetër mund ta kompensojnë me disa lojtarë në huazim, kryesisht nga ekipi i të rinjve.
Më e vështirë do të jetë për Juventusin që të paguajë këtë shifër, kjo edhe për faktin që objektivi primar i bardhezinjve është mesfushori italo-brazilian i Chelseat, Jorginho, i cili njeh në perfeksion skemat e Sarrit dhe atë çfarë trajneri kërkon në fushë.
Sa i përket Barcelonës, katalanët vijojnë të ruajnë kontaktet me menaxherët e mesfushorit, por nuk kanë nisur asnjë negociatë konkrete, pasi fillimisht duhet të pastrojnë skuadrën nga një pjesë e mesfushorëve të shumtë që janë pjesë e organikës.SS