Kosova duhet të ketë një qasje të re karshi politikës integruese në BE, kjo arrihet përmes bashkëpunimit me fuqitë e mëdha dhe anashkalimit të iniciativave rajonale si “mini-shengeni Ballkanik”.

Kështu u tha në konferencën lidhur me procesin e Berlinit dhe sundimin e ligjit që u organizua nga Demokracia Plus në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer. Krahas kësaj u kërkua korrektësi mes shteteve fqinje.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi një strategji nacionale për t’iu qasur zotimeve që janë marrë në Samitin e Berlinit, por vuri në pah se bashkëpunimi rajonal varet edhe prej raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Problem për bashkëpunimin rajonal, Hoti e konsideron edhe partneritetin shumë të ngushtë mes Shqipërisë dhe Serbisë duke anashkaluar Kosovën.

Hoti: Mosmarrëveshjet me shtetet fqinje mund të vë në pikëpyetje iniciativën e këtyre samiteve

 

“Kam një përshtypje se bashkëpunimi rajonal është një far petku që tenton t’i fsheh mosmarrëveshjet bilaterale që i kemi me Serbinë dhe Bosnjën. Por me Serbinë në veçanti. Kosova vuan më shumë për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve. Ndoshta këto mosmarrëveshje të Kosovës me Serbinë dhe Bosnjën mund të vënë në pikëpyetje komplet këtë iniciativën e këtyre samiteve. Ajo që ka dalë sfidë këtyre dy viteve të fundit në bashkëpunimin rajonal është partneriteti shumë i ngushtë me Shqipërisë dhe Serbisë duke tentuar të tejkalohet Kosova në disa iniciativa rajonale”, tha ajo

Ndërsa, nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu kërkoi një qasje të re karshi politikës se jashtme dhe integruese në Bashkimin Evropian.

Haxhiu: Duhet të ketë qasje ndryshe edhe karshi integrimeve evropiane

 

” Duhet të ketë qasje ndryshe edhe karshi integrimeve evropiane. Duhet një qasje e gjerë Qeveri, opozitë, shoqëri civile. Bashkëpunim institucional sepse ju e dini se nuk ka bashkëpunim institucional po flas për institucionet e drejtësisë. Duhet të ketë një qasje ndryshe, një mendësi të re në gjithë këtë rrugëtimin evropian, por edhe përgjithësi në politikën e jashtme”, u shpreh ajo.

E nikoqiri i konferencës, Jetmir Bakija nga Demokracia Plus tha se përmes procesit të Berlinit Kosova po qëndron në hap me vendet e rajonit.

Ai foli edhe për rëndësinë e përfitimeve infrastrukturore dhe kërkoi që gjitha bashkëpunimet rajonale të ndodhin në koordinim me BE-në.

Bakija: Të gjitha bashkëpunimet të ndodhin në bashkëpunim me BE-në

 

“Ky projekt ka edhe projekte infrastrukturore kryesisht të ndërlidhshmërisë me vendet e Ballkanit teje të mëdha. Disa prej tyre vetëm kanë filluar. Por dhe së treti ne argumentojmë se edhe i parandalon disa iniciativa që mund të jenë të dëmshme për Kosovën, siç është mini-shengeni ballkanik. Pra nëse vazhdon procesi i Berlinit atëherë argumenti i Kosovës do të ishte që mos të ndodhin këto iniciativa përmes dy tre liderëve rajonal. Por të ndodhin në kuadër të bashkëpunimit me BE-në”, tha ai.

Angazhim më të madh për sundim të ligjit kërkoi edhe Ehat Miftaraj nga IKD. Në kuadër të Procesit të Berlinit janë mbajtur dhe disa samite të tjera në përmbushje të zotimeve që janë marrë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Share.