Pas vendimit të Gjykatës Supreme për anulimin e vendimit për pezullimin e tarifave që kanë hyrë në fuqi më datën 8 shkurt 2022, duke i dhënë të drejtë ZRRE-së, KESCO ka dalë me njoftim për konsumatorët.

“Bazuar në vendimin e sotshëm të Gjykatës Supreme, për anulimin e vendimit për pezullimin e tarifave që kanë hyrë në fuqi më datën 8 shkurt 2022, KESCO në leximin e këtij muaji që do të fillojë për pak ditë, do të aplikojë tarifat që janë në fuqi, respektivisht do të njehsojë faturat e konsumatorëve me tarifat aktuale që janë në fuqi nga data 8 shkurt 2022”, thuhet në njoftim.

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe atë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka refuzuar si të pabazuar kërkesën-propozimin e Partia Demokratike e Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi shtrenjtimin e energjisë elektrike.

ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh energji në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e energjisë, prej orës 22:00-07:00. Ndërsa, nga data 1 prill-30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00-08:00.

Siç ishte njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike në muaj dhe, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë. Gjatë tarifave të shtrenjta, qytetarët që harxhojnë mbi 800 kilovatë paguajnë 12.5 centë për kilovat, ndërsa gjatë tarifave të ulëta 5.9 centë.

Tarifat e reja të energjisë elektrike janë planifikuar të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023./TV Malisheva

Share.