Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj ka deklaruar sot se kryeministri Avdullah Hoti ka shkuar në Bruksel për të dialoguar me Serbinë pa mandatin e Kuvendit.

Ai ka thënë se Hoti është duke shkuar në Bruksel pa platformë të dialogut, pa platformë të dialogut, pa transparencë publike, pa grupin e ekspertëve si dhe pa koordinim dhe pëlqim të partnerëve qeverisës.

“Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, se lëre më Kosovën. Si i vetëm nuk e përfaqëson dot as fshatin e tij! Në ditën kur presidenti i vendit po intervistohet për shpifjet e regjimit serb, Avdullah Hoti ka zgjedhur t’i zgërdhihet Vuçiqit në Bruksel. Ky paska qenë ekipi i unitetit për të cilin na fliste! Që nga 24 qershori kur u anulua takimi i Uashingtonit për shkak të publikimit të çuditshëm të propozim-aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Avdullah Hoti nuk e ka thënë as një fjalë të vetme në përkrahje të presidentit, ndonëse ai gjeti kohë ta uronte edhe Liverpoolin”, ka thënë ai.

Behramaj thotë se kryeministri nuk e ka marrë as mundin që të takohet me presidentin.

“Edhe pse distanca në mes Zyrës së Presidentit dhe Zyrës së Kryeministrit nuk është as 50 metra, ai nuk e mori mundin më asnjëherë që të vinte dhe ta takonte. Jo vetëm për t’u koordinuar, por as për ta shprehur një solidaritet krejtësisht njerëzor! Nuk e paskemi ditur, por Avdullah Hoti qenka tërësisht i amputuar nga ndjenjat e patriotizmit”, ka shkruar ai./ Tv Malisheva

Share.