Këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një sesion i katërt negociator do të mbahet të hënën midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Negociatat shkojnë pa ndërprerje në formatin e video-konferencave,” shrkoi sot në Twitter këshilltari presidencial Mykhailo Podolyak.
“Grupet e punës funksionojnë vazhdimisht. Një numër i madh çështjesh kërkojnë vëmendje të vazhdueshme,” shtoi ai.
Një raund i tretë i bisedimeve të paqes ballë për ballë midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë në Bjellorusi në fillim të kësaj jave përfundoi me një marrëveshje për korridoret e sigurta për refugjatët, por pa ndonjë përparim tjetër të madh.
Zëvendëssekretarja e Shtetit Wendy Sherman tha dje se ndërsa ajo beson se presidenti rus Vladimir Putin po synon të shkatërrojë Ukrainën, sanksionet e Perëndimit mund ta detyrojnë atë në tryezën e bisedimeve.
“Ky presion ka filluar të ketë një efekt,” tha Sherman për “Fox News Sunday”. “Ne po shohim disa shenja të një gatishmërie për negociata reale serioze”, shtoi ajo.
Podolyak tha të dielën se Rusia tani “i dëgjon me kujdes propozimet e Ukrainës”.
“Kërkesat tona janë – fundi i luftës dhe tërheqja e trupave (ruse),” tha Podolyak.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën e kaluar se Rusia do të ndalonte pushtimin e saj nëse Ukraina njeh Krimenë si territor rus dhe rajonet separatiste Donetsk dhe Lugansk si shtete të pavarura, transmeton Fox News.
/TV Malisheva