- Reklamë e sponsorizuar -

As ky fundvit nuk pritet t’ua sjellë kosovarëve liberalizimin e vizave, pasi përpos Gjermanisë asnjë nga shtetet tjera të BE-së nuk është pro heqjes së vizave për Kosovën. Sipas njohësve të integrimeve, gjasat janë minimale që vizat të hiqen edhe gjatë vitit 2020, mirëpo një shpresë mbetet shteti gjerman, i cili do ta marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së nga 1 korriku i vitit të ardhshëm, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Demush Shasha, nga instituti “Epik”, për “Zërin” ka deklaruar se aktualisht janë katër faktorë që janë duke e penguar heqjen e vizave për kosovarët, duke përfshirë këtu mungesën e rezultateve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, ngecjen e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe mungesën e vullnetit të shteteve anëtare të BE-së për këtë proces.

“Janë katër faktorë që janë duke e penguar heqjen e vizave e ndër ta është mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tre vjet e gjysmë pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundi edhe qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës”, ka thënë Shasha.

Sipas Shashës, në mënyrë jodirekte pengesë për heqjen e vizave për Kosovën mbetet edhe bllokimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte, pasi që vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Po ashtu brenda BE-së janë disa vende të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këto vende kyçe kundër janë Franca, Holanda dhe Danimarka”, ka theksuar ai.

Shpresat sipas Shashës mbeten te Kroacia dhe te Gjermania, që do të jenë në krye të Presidencës së BE-së në vitin e ardhshëm. “Gjatë vitit 2020 Presidenca e BE-së do të kalojë te dy vende mike të Kosovës: Kroacia (1 janar – 30 qershor 2020) dhe te Gjermania (1 korrik – 31 dhjetor 2020). Prandaj ekziston mundësia që çështja e liberalizimi të vizave të përkrahet nga dy presidencat respektive”, ka potencuar ai.

Ndërkohë deri sa kjo të ndodhë Shasha vlerëson se Kosova duhet të përfundojë detyrat e shtëpisë dhe të plotësojë kërkesat e dhëna nga shtetet e BE-së, që janë skeptike për heqjen e vizave të Kosovës.