Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, nga kjo javë pritet të marrin kompensimin ligjor.

Bahri Xhaferi, Drejtor i Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka thënë për IndeksOnline se ata e kanë kryer punën e tyre dhe listat i kanë përcjellë në Ministrinë e Financave.

 

 

“Lista me rreth 9 500 emra është dërguar në Ministrinë e Financave të premten me një përmirësim të vogël. Shpresoj që këtë javë do të bëhet ekzekutimi i mjeteve nga ministria përkatëse”, ka thënë Xhaferi.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe me Lulzim Rafunën, këshilltarin e ministrit të Financave, për të mësuar më shumë për vonesat rreth kompensimit.

Ai ka thënë se nëse listat tani janë gati atëherë mjetet do të ekzekutohen sepse për këtë është ndarë edhe buxheti për vitin 2019.

Ndryshe vlera e konvertuar në valutën euro për kontributin e tyre në mësimdhënie gjatë viteve të 90-ta nis nga 19 deri në 95 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar.

Shuma mësimdhënësve iu ndahet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999, i cili është miratuar në shkurt në Kuvendin e Kosovës dhe ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti./IndeksOnline/

Share.