U zhvillua ditën e sotme mbledhja e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ku u diskutua në lidhje me situatën aktuale të futbollit europian, që ashtu si shumë aspekte të jetës është ndalur prej virusit Covid-19.

Presidenti i FSHF-së, në të njëjtën kohë edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mori pjesë në këtë video-konferencë, ku u njoh me punën e kryer deri më tani nga UEFA duke parë situatën e krijuar dhe shprehu të gjithë mbështetjen në lidhje me propozimet e ofruara. Presidenti Duka në ndërhyrjen e tij theksoi vullnetin e tij se do të bëhet maksimumi për të realizuar gjithçka kërkohet për rikthimin e garës. Qeveria e futbollit europian shprehu edhe njëherë qëllimin e saj që të gjithë Federatat dhe Ligat në 55 vende duhet të ekspolorojnë të gjithë të gjitha mundësitë për të përfunduar kampionatet respektive.

Komiteti Ekzekutiv konfirmoi sot vendimin për të shtyrë UEFA Women’s Euro 2021 për në vitin 2022, kompeticion ky që siç ishte parashikuar do të zhvillohet në Angli nga 6 deri në 31 Korrik 2022. Në lidhje me këtë vendim të marrë sot, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin u shpreh: “Kur morëm një vendim urgjent për të shtyrë EURO 2020, ne e kishim llogaritur impaktin që do të kishte te UEFA Women’s EURO 2021. Ne vlerësuam me shumë kujdes të gjithë opsionet, me synimin tonë të qartë për të ndikuar në rritjen e mëtejshme të futbollit të femrave. Duke e spostuar UEFA Women’s EURO për vitin e ardhshëm, ne jemi duke siguruar që ky do të jetë i vetmi kompeticion madhor në verë, duke i dhënë kompeticionit të gjithë vëmëndjen që meriton”.

Një tjetër vendim i marrë nga Komiteti Ekzekutiv ishte ai për të dhënë menjëherë pagesat për të gjithë klubet që kanë pasur lojtarë të impenjuar në ekipet kombëtare gjatë fushatave eliminatore për EURO 2020. Ky vendim për të përshpejtuar pagesat ndaj klubeve u mor për ti dhënë një frymëmarrje ekonomike skuadrave që mund të jenë në vështirësi financiare nga pandemia botërore./ Tv Malisheva

Share.