Doarsa Kica Xhelili, deputete në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është duke i shkelur me të dyja këmbët rekomandimet e Këshillit të Evropës.
“Është interesante që ministrja po i referohet një institucioni të Këshillit të Evropës, duke iu referuar si një institucion i lartë, në këtë rast Komisionit të Venecias, sepse befasia e saj vjen si rezultat që përderisa Komisioni i Venecias ka bërë të gjetura dhe qëndrim tjetër, tani Gjykata Kushtetuese ka tjetër. Por çka s’duhet të harrojmë është se ministrja e njëjtë po i shkel me të dyja këmbët rekomandimet e Këshillit të Evropës lidhur me gjuhën që guxon ekzekutivi ta përdorë karshi vendimeve gjyqësore me këto që po thotë”, ka thënë Kica.
Sipas Kicës, në rekomandimet e Këshillit të Evropës lidhur me pavarësinë e gjyqësorit thuhet se mundësia e vetme e komentimit është që ekzekutivi të thotë se synon ta ankimojë përmbajtjen e jo ta komentojë atë.
Ajo tha se nuk ka dëgjuar në asnjë rast se Komisioni i Venecias është njoftuar se për momentin procesi i emërimit të kryeprokurorit po bllokohet nga një institucion shtetëror.
“Kur del ministrja dhe flet për rekomandimet e komisionit të Venecias, nuk duhet të harrojë që ka një pjesë të informacionit që ose nuk ka rastisur të diskutohet, ose i janë përmbajtur informacionit qëllimshëm dhe natyrshëm që Komisioni i Venecias nuk mund të aludojë se çka ka shtesë”, përfundoi ajo./Klan Kosova