Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili shkroi për disa që i konsideroi të arritura në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Në një postim në Facebook, Kica-Xhelili ka shkruar se postimi i Kurtit kishte të bënte me gjithçka përveq sundimit të ligjit.

Deputetja shkroi tutje se kryeministri foli për policinë, për të cilën nuk mori pjesë as në debat për rezolutë.

“Policinë e njëjtë ndaj të cilës nuk morën pjesë as në debat për rezolutë. Policinë e njëjtë për të cilën i kujtohet t’ia mëvetësoj sukseset si të qeverisë, por jo ta mbështes (përveç me emocione të zëna mundësisht në fotografi që duken si spontane”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Dy vjet e gjysmë PA sundim të ligjit, por me sundim të Qeverisë Kurti.

Lexova statusin e Kryeministrit Kurti. Dy herë. Herën e parë, e lexova me pritjen që do të flas për atë që ka premtuar: reformat në drejtësi, (ç’)kapjen e sistemit të drejtësisë, fuqizimin e sundimit të ligjit e demokracinë.

Herën e dytë, e lehtësuar pak që as nuk është munduar të propagandojë se ka bërë gjë për të lartcekurat, e lexova ta kuptoj për çka ka shkruar. Policinë. POLICINË!!!

Policinë e njëjtë ndaj të cilës nuk morën pjesë as në debat për rezolutë. Policinë e njëjtë për të cilën i kujtohet t’ia mëvetësoj sukseset si të qeverisë, por jo ta mbështes (përveç me emocione të zëna mundësisht në fotografi që duken si spontane).

Meqë statusi i tij kishte të bënte me gjithçka përveç sundimit të ligjit, mendova t’ia bëj unë përmbledhjen:

1. Vetingun e keni gjymtuar sepse e keni futur në thesin e reformave tjera. Si rezultat, keni mbetur me MBETJE, në Gjykatë Kushtetuese, për të cilat ju duhen edhe votat e minoriteteve, që nuk i keni.
2. Në formë të paprecedentë për Kosovë e për shtete demokratike, keni thënë nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës se kryeprokurori i propozuar ju pengon si emër i PËRVEÇËM. Madje, keni folur edhe në emër të Kryetarit të Kuvendit e Presidentes, sepse fundja kjo Qeveri sillet sikur ka epërsi ndaj të dyjave. Ndoshta dhe ka të drejtë në kuptimin faktik.
3. I keni pesë ligje tanimë të konfirmuara si kundërkushtetuese, e gati dhjetëra tjera të ankimuara që me shumë gjasë, për shkak të shkeljeve drastike e kristal të dukshme si kundërkushtetuese, mund të konfirmohen si të tilla.
4. Nga ofendimet e sharjet ndaj prokurorisë, keni vendosur që PËRNJËHERË, si të kishit rilindur në universin paralel, të kërkoni që rezervat shtetërore t’i trajtoj prokuroria, e jo komisioni hetimor. Pra – sot qenkan bërë të mirë! (Apo ndonjëri aty, qenka bërë i “mirë”)
5. Policët hetues të cilët e kanë urdhëruar konfiskimin e telefonit të Nagip Krasniqit, i keni suspenduar.
6. Shumicën e ministrave i ke me aktakuza apo tanimë të dënuar.
7. Nuk keni dhënë kurrfarë përgjegjësie për vjedhjet në Instutitin e Mjekësisë Ligjore. Keni lejuar (e mbështetur) punonjës të palicencuar të bëjnë analiza laboratorike. Sërish, asnjë përgjegjësi.

Ka dhe shumë të tjera, por po lodhem unë duke shkruar, e tjerët duke lexuar.

Në kam arritur të mësoj NJË gjë nga studimet e përvoja juridike, është që KJO QEVERI hyn në shembujt tipik të asaj se si NUK duken sistemet demokratike që fuqizojnë sundimin e ligjit, e SAKTËSISHT si duken ato që zhbëjnë demokracitë në autokraci.

/TV Malisheva

Share.